Mirë se ju gjej zonja dhe zotërinj!
Kështu siç keni qenë gjatë fushatës, së bashku me kryetarin e degës, që dua ta përshëndes dhe ta falënderojë për organizimin e këtij takimi dhe me deputetin tuaj Alfred Rushajn, i cili pas një mungese të shkurtër ka ardhur me energji të shumëfishuara për një betejë të jashtëzakonshme që nuk bëhet në emrin tim, nuk bëhet në emër të tij. Nuk bëhet në emër të një grushti njerëzish, por bëhet në emër të gjithsecilit prej jush, të sakrificave tuaja, të sakrificave të demokratëve, të sakrificave të shqiptarëve anembanë ku janë. Një betejë që me ju në krah, e kemi nisur që me ardhjen e këtij regjimi në krye të vendit. Sepse me ardhjen e këtij regjimi në krye të vendit, ka ardhur edhe e keqja këmbëkryq në shtëpitë e shqiptarëve. Nuk ka vend apo zonë, degë ku zhvilloj takime të këtyre përmasave.
E patë para 3 ditësh, doli raporti i Transparency Internacional, prapë qeveria më e korruptuar në Ballkan. Çfarë do me thënë korrupsion qeveritar për njeriun e thjesht? Se në zhargonin politik do të thotë përplasje midis një pale dhe një pale tjetër. Por për qytetarët e këtij vendi, për të papunët e këtij vendi që vetëm shtohen, për familjarët e këtij vendi, për sipërmarrësit e këtij vendi, për punëdhënësit, për punëmarrësit, për pensionistët, për të rinjtë, për kryefamiljarët, do të thotë diçka tjetër. Le ta marrim nga çështja e fundit, ngritja e çmimit të karburantit, ngritja e çmimit të naftës.
Se me të vërtetë çmimi i naftës është rritur në të gjitha tregjet ndërkombëtare, po pse është më e ulët në Kosovë? Pse është më e ulët në Maqedoninë e Veriut? Pse është kaq e lartë në Shqipëri, sa është pothuajse në Zvicër ku marrin mesatarisht 16 herë më shumë të ardhura për frymë sesa në Shqipëri? T’i marrim një nga një: Kush e ka harruar taksën Rama mbi karburantet? 200 lekë plus TVSH-në, 240 lekë për litër, është vetëm taksa që ky ka vendosur mbi naftën, mbi benzinën. Dhe kur shkojmë në Parlament dhe i kërkojmë që ta heq, bën sikur ngatërrohet, bën dhe shejtanbudallain. Thotë, taksa e karbonit, jo mor jo, s’po të thotë njeri për taksën e karbonit. 3 lekë është taksa e karbonit, kjo është 24 lekë të reja. Le të ndalemi për një moment, ka më shumë se 6 vite apo 7 vite që kur e vuri në janar të 2014-ës, në qoftë se nuk gabohem, 100 lekëshin e parë dhe në janar të 2015-ës, 100 lekëshin e dytë plus TVSH-ën, që i merr këto lekë. Si i shpenzon? Cili është roli i qeverisë kur ndodh diçka e keqe për njerëzit? Si pandemia, si tërmeti, si rritja e çmimit të naftës? Është të amortizojë efektet negative. T’i zbus, ta bëjë pak më të lehtë jetën e njerëzve. Si mund ta bëjë këtë? Del ministrja sot pa pikë turpi, thotë do rritet edhe 6 muajt e ardhshëm çmimi i naftës.
E para e punës, nuk të paguajnë aty për t’iu thënë shqiptarëve se çfarë do të ndodhi me tregjet ndërkombëtare, por të paguajnë se çfarë do të bësh ti meqë do rritet çmimi i karburantit edhe 6 muajt e ardhshëm. Çfarë do bëjë qeveria jote? Çfarë do bëjë? Çfarë do bënte një qeveri normale? Në radhë të parë do shikonte kush preket nga këto dhe si preken. Janë dy kategori që preken. Janë ata që edhe pa çmimin e naftës në këto nivele, nuk sigurojnë dot bukën e gojës. Dhe ne e dimë kush janë. Gjysma e familjeve në Shqipëri që nuk paguajnë më shumë se një vakt të ngrohtë në ditë, për veten e tyre dhe fëmijët e tyre. Pensionistët që nuk mbyllin dot 10 ditë, jo muajin po nuk patën mbështetje nga fëmijët e tyre në emigracion. Të papunët, pagesa e ndihmës ekonomike s’mjafton as për 2 ditë, as për 3 ditë për një familje me 4 veta, jo për 30 ditë. Gjysma e popullsisë, që sot është e varfër dhe varfëri e niveleve Afrikane. Nuk ka lidhje me vendet e tjera të Evropës, nuk ka lidhje me Kosovën, nuk ka lidhje me Maqedoninë e Veriut. Me kë doni ta krahasoj? Dhe pastaj tek pjesa tjetër, pjesën e ekonomisë. Se të gjithë e dimë, s’ka nevojë të kesh mbaruar për ekonomi, që nafta është gjaku i ekonomisë, karburanti është gjaku i ekonomisë, që rritja e çmimit të karburantit është, sigurisht që i bie drejtpërdrejtë ndesh gjithë zinxhirët të shërbimit dhe prodhimeve dhe do të reflektohet në gjithçka. Në rritjen e çmimit të mallrave, në rritjen e çmimit të prodhimeve bazë.
Në pamundësi edhe më të mëdha, për sipërmarrësin e vogël dhe të mesëm. Në pamundësi edhe për sipërmarrësit e mëdhenj, që mendojnë se kanë një rezervë, por në fakt kanë dhe përgjegjësi të mëdha, se zakonisht kanë një bordero më të madhe, se kanë më shumë njerëz në punë. Po fermeri që përbën gjysmën e popullsisë? Duam s’duam ne, pavarësisht prej ëndrrave që shikon me sy hapur i pari i bandës së hajdutëve. Gjysma e popullsisë jeton në zonat rurale. Çfarë bëhet me këto lekë të buxhetit? Me këto taksa të rritura? Me taksën progresive, me taksën e naftës, ku shkojnë të gjitha këto? Se këto mund të përbënin një jastëk për ta zbutur pak goditjen në brinjë të çdo familjeje shqiptare, që nga më e varfra deri tek shtresa e mesme, deri tek sipërmarrja e deri tek fermerët. Pse mos ta bëjmë këtë? Pse mos të merren lekët nga buxheti i shtetin në këtë rast, por dhe me dhjetëra raste të tjera, e të përdoren pikërisht për ato arsye që qytetarët i paguajnë për t’i kthyer si shërbime. Pse? Pse nuk ndodh kjo?!
Sepse paratë që iu janë marrë njerëzve, shumicës së shqiptarëve, gjithë shqiptarëve në fakt, edhe atyre me ndihmë ekonomike, ua merr ai me TVSH-në. Kur shkojnë të paguajnë, çfarëdo të blejnë, edhe një bukë misri kur blejnë, e paguajnë TVSH-në. Ato para pastaj, i ndajnë me katër-pesë veta. Sa vite kemi që e denoncojmë ne këtë? Jo me fjalë, me fakte, si inceneratorët. Po imagjinoni pak në qoftë se ato 430 milionë euro të inceneratorëve, nuk do t’i merrte, ata që i kanë marrë, dhe katër-pesë veta që i kanë marrë, por do të përdoreshin, fjala bie, meqë po flasim për çmimin e naftës, për të krijuar një lehtësi, le të themi ne do ta bënim që sipërmarrja të mos nxjerrë njerëz nga puna të paktën. Por nuk ndodh kjo. Nuk ndodh. Sepse ato para dihet se kush i merr. Ka dalë një emër. Kanë dalë tre faktikisht. Njëri është në burg, ministri i Ramës. Mbiemrin e ka Koka, por e dimë të gjithë që është bishti.
Dy të tjerë, që italianët i thonë “presta nome”, para një viti kemi thënë, unë personalisht kam dalë, besoj e keni ndjekur konferencën për shtyp, dy javë a tre javë me radhë, se nuk e jepnin mediat, dy-tre javë me radhë kam thënë, këta ruajini se do largohen në drejtim të paditur. Mos i gjetshi me ndonjë kanal! Pse? Sepse siç e thashë, ai Koka atje është bishti. Koka e vërtetë, është i pari qeverisë.
Dhe po kështu me të Fierit, dhe me të ashtuquajturin incenerator të Tiranës, të cilët nuk djegin asgjë përveç parave të shqiptarëve. Po sa afera të tilla ka? Sa miliarda euro përpihen në mënyrë të tillë nga një grusht njerëzish? Arsyeja e dytë madhore sepse kjo ndodh, është se ky vazhdon të shijë e të grijë, sepse ka asgjësuar të vetmin instrument të llogaridhënies politike, që është vota. Me votën e lirë të shqiptarëve, të gjithë e dimë, që 25 prilli do të kishte qenë një ditë ndryshimi. Në fakt ishte një ditë ku kulmoi masakra zgjedhore. Kur ne thamë, na akuzuan se opozita nuk pranon asnjëherë humbjen. Kur doli raporti OHDIR-it, ku thuhej se shteti nuk garanton më as lirinë, as fshehtësinë e votës, që shteti përdor gjithë burimet e veta duke influencuar mënyrë të paligjshme partinë në pushtet, kur dolën listat e patronazhistëve, dhe pastaj dolën dhe rrogat e patronazhistëve pas disa muajsh. Atëherë u kuptua fare qartë, që këtu ka rënë çdo shtyllë e shtetit.
Çfarë rrugësh kemi përpara? Dy rrugë kemi; opozitë ballore, pa kompromis ndaj Edi Ramës dhe e dyta të mbetemi parti e vlerave euroatlantike.
Mund të rrimë të heshtur, mund të vendosim të mos futemi në këtë betejë, mund ta lëmë Ilir Metën, që me dorën e Sali Berishës, të marrë prapë vota demokratësh t’i çojë te Ilir Meta, ky pastaj t’i çojë tek Edi Rama. Se këto janë zgjedhjet; o me demokratët për demokratët, o me Ilir Metën për Ilir Metën, që do të thotë për Edi Ramën. Të tjerat janë broçkulla. Dhe se kam fjalën vetëm për 6 marsin, e kam fjalën për gjithë iniciativat. Shikoni si bëhen bashkë kur iu cenohen interesat! E mbani mend në 2018-ën, iniciativën për vettingun politik? Sigurisht që e mbani mend. Pse në 2018-ën edhe Sali Berisha edhe LSI e firmosën dhe sot janë kundër? Pse? Pse janë kundër sot? Sot që e kanë bërë malin e akuzave kundër meje, kundër bashkëpunëtorëve të mi, më të lartë se malin e Dajtit, unë iu them merrini këto akuza, çojini në SPAK, unë i pari shkoj në SPAK, dhe bashkë me mua të vini ju të dy, Edi Rama, gjithë ministrat dhe ish-ministrat e tij, gjithë politikanët shqiptarë, dhe atje të bëhet vettingu i politikanëve. Atje të bëhet vettingu i pasurisë së çdokujt, familjeve të çdokujt, ortakëve të çdokujt dhe lidhjeve të çdokujt me botën e nëndheshme. Pse thonë jo? Se duan të vazhdojnë raketë e shpifjeve. Nuk e duan të vërtetën! Të tre i bashkon frika ndaj të vërtetës! Të tre janë pjesë e një makinerie zhurme dhe propagande që ka për qëllim të fshehë aktualisht dy gjëra; qeverisjen më të korruptuar dhe të dështuar që ka pasur ky vend këto 30 vite, që është arsyeja numër një e varfërisë, dhe armiku numër një i mirëqenies në kuptimin e plotë të fjalës për shqiptarët, mirëqenies ekonomike, mirëqenies shëndetësorë, sigurisë për jetën, mungesës drejtësisë, mungesës rëndit publik, emigracionit masiv dhe së dyti kjo propagandë mundohet të fsheh një tjetër të vërtetë.
Edi Rama, Sali Berisha dhe Ilir Meta janë bëre bashkë për të shkatërruar partinë demokratike secili për arsyet e veta, i pari sigurisht sepse e ka sot pengesën e vetme, është kështu apo jo? Kush tjetër është në betejë dhe i jep zemër edhe të tjerëve? Një nga një institucionet janë të kapur të paktet janë gazetarët s’po them mediat që mbahen. Pengesa e vetme për të rivendosur sundimin absolute për Edi Ramën është partia demokratike. I dyti e ka thënë qartë o bëhuni mbulese për mua ose do ju shkatërrojë dhe e provoje me 8 Janar, por falë vendosmërisë demokrateve e mori përgjigjen që meritonte. Që ajo shtëpi është e demokrateve, që kjo parti është e demokratëve dhe do të jete e demokratëve. Kurrë, asnjëherë e asnjë emër të përveçëm kushdo qoftë ai. E për të tretin nuk besoj se ka nevojë të bëje komente se tani të gjithë e kemi kuptuar lojën e tij se gjithmonë ka investuar që të dobësohet Partia Demokratike, gjithmonë ka investuar të dobësohet në forma dhe mënyra të ndryshme duke e goditur, duke e lajkatuar ndonjëherë duke bëre si ekstremist më i madh i demokratëve, pse? Për të marr votash demokratësh dhe pastaj për ti çuar tek Edi Rama. Këto janë dy sfida përballë të cilave gjendemi ndërkohe ne kemi një plan të qartë për të ecur përpara dhe në këtë plan na duhet të marrim gjithë atë pjesë të shoqërisë që është shumica dërrmuese e shoqërisë e cila sheh nga ne rrugët e zgjidhjes.
T’i japim fund politikanëve të paprekshme. Paprekshmërisë të politikanëve gjithë janë të prekshmet vetëm politikanët jo, të gjithë mund t’i nënshtrohen vettingut vetëm politikanët jo. Të gjithë ndëshkohen nëse shkelin ligjin rreptësishtë, vetëm politikanët nuk preken dhe nuk kapen duke kryer krimi. Kthimi një fytyrë njerëzore i politikës nuk do të thotë thjeshtë të pastrojmë politikën nga ato fytyra jo njerëzore edhe pse mua më duken të buzëqeshur nga televizioni por që në fakt nga mëngjesi deri në darkë punojnë kundër interesit publik, do të thotë po kështu në politikë të krijojmë instrumente që njerëzit që duhet të jene ata që e shohin politikën si instrument shërbimi dhe jo si instrument përfitimi dhe që të ndodh kjo duhet të kemi një reforme të thellë të sistemit zgjedhor që ta bëje përfaqësimin e qytetareve në parlament reale jo efektivë, ju e dini preferencën time për një maxhoritar të pastër.
Sigurisht kjo nuk do të thotë nuk jam i hapur ta diskutojë me bashkëpunëtorët e mi në radhë të parë, me partine demokratike, me të gjithë partitë dhe faktorët e tjerë politike dhe jo politike, më të gjithë qytetarët edhe idetë e mendimeve e të tjerëve por e rëndësishmja është në ato karrige të shkojnë përmes një vote të pacenuar dhe të pa ndikuar në mënyrë të paligjshme ata që përfaqësojnë njerëzit, pse? Në atë moment do luftojmë për njerëzit se do vijmë të hapim llogari para njerëzve dhe kur e dinë që do vijnë të japin llogari para njerëzve janë automatikisht shpresa dhe garancia që do ta mbajnë qeverinë përgjegjëse për atë që bën. Sot heshtin, heshtin ato që janë ulur atje, që kanë shumicën e kartonëve që ia kanë dhënë njerëzit ia ka dhëne dhe ia merr Edi Rama me veglat e tij. Një reforme e sistemit zgjedhor shoqëruar me një reforme territoriale që e rikthen pushtetin vendor që është pushteti që duhej të zgjidhe çështjen e njerëzve se një vend demokratike, shumica e problemeve zgjidhen nga pushteti vendor, pse? Sepse është afër njerëzve.
E vetmja pengesë është një politikë me fytyrë çnjerëzore që e ka kthyer këtë vend në një çiflig të 5 apo 6 vetave, duke nisur me tre kalorësit e apokalipsit. Kjo është beteja jonë. Instrumentet për ta zgjidhur këtë krizë, mjetet për ta zgjidhur këtë krizë, mundësitë për ta zgjidhur këtë krizë nuk ndryshojnë shumë nga ato të para 30 viteve. Edhe pengesat që kemi përpara nuk janë shumë të ndryshme, atëherë kishte një sistem monist, me një byro politike, me aparate të diktaturës, sot kemi një treshe e cila është gati të sakrifikojë gjithçka për të përjetësuar sundimin e tyre. Voto apo zgjidh, apo mbështet Sali Berishën, ke mbështet Ilir Metën, ke mbajtur në pushtet Edi Ramën dhe sigurisht të mbash në pushtet Edi Ramën do të thotë të mbash në pushtet të keqen, të mbash në pushtet varfërinë, të mbash në pushtet emigracionin dhe kolapsin total të shërbimeve nga shëndetësia tek arsimi.
Në këtë betejë, me përgjegjësinë që më keni ngarkuar eci orë për orë e ditë për ditë i vetëdijshëm, se çfarëdo sakrifice, apo çfarëdo forme dhe mënyre përballjeje vihem përpara e kam një detyrim ndaj vuajtjeve, sakrificave dhe kontributeve të qindra mijëra demokratëve që më kanë besuar drejtimin e familjes sonë politike dhe kjo është arsyeja pse nuk tërhiqem dhe nuk do të tërhiqem derisa të gjithë së bashku t’i japim kësaj familje politike dhe Shqipërisë fitoren që meriton.
Natyrisht miqtë e mi kjo nuk është diçka që mund ta bëjmë vetëm, as unë as kushdo tjetër po të ishte në vendin tim. Po të thoshte e bëj vetëm ju gënjen, është diçka që do ta bëjmë së bashku,
Kemi me vete shpresat e shqiptarëve për ndryshim, kemi me vete forcën e atyre që në 1992 na ndihmuan të linim pas perden e hekurt dhe diktaturën më të egër. Mos të harrojmë jua thash në fillim, po ua them përsëri, dy janë kushtet s’kemi kushte të tjera, le të vijnë të gjithë dhe duhet të vijnë të gjithë të na bashkohen. E para opozita ballore pa kompromis kundër regjimit të Edi Ramës dhe e dyta vlerat euroatlantike.
A do jetë Partia Demokratike partia e demokratëve apo do jete shtëpia e Ilir Metës? Njëri do të mbrohet për hallin e vet, do të fusin kokën për hallin e vet, tjetri do të marrë votat e demokrateve t’i çojë tek Edi Rama. Këto janë dy zgjedhjet, tjerat janë propagandë. Unë e di që jemi të qartë, po e di që jashtë kësaj salle ka anëtarë të Partisë Demokratike, simpatizantë tanët, votues tanët të 25 prillit, votues që do na kishin votuar me 25 prill, por patën lloj-lloj pengesash që s’kam ndërmend, por ju e dini se çfarë pengesash, pengesat e masakrës zgjedhore, po edhe një skepticizëm a ishim apo përfaqësonim me të vërtetë ndryshimin ne. Ajo që ju kërkoj është që këto që flasim këtu dhe për të cilat bini dakord dhe kur ju shoh në sy thoni “Po, biem dakord”, mos t’i lëmë këtu, por t’i çojmë edhe tek ata e në veçanti tek ata që kanë qenë pre e propagandës, që kanë dyshuar motivet dhe vërtetësinë e vendimeve që kemi marrë së bashku, vendime aspak të lehta, por siç e treguam dhe siç e tregoi koha të domosdoshme, për ta mbajtur gjallë, shëndoshë dhe për ta rikthyer dhe njëherë Partinë Demokratike të Shqipërisë në forcën, në familjen politike të shpresës dhe ndryshimit për gjithë shqiptarët. Ju faleminderit!