• Basha në takimin përmbyllës të fushatës për kandidatin e PD: Ti japim fund izolimit të Dibrës. Është koha që qindra milionë euro të zhvatura të qytetarëve shqiptarë të taksave të tyre të kthehen tek shqiptarët, e të kthehen në veçanti tek njerëzit në nevojë. Kjo është beteja jonë, dhe kjo është beteja që ne zhvillojmë ditë për ditë ky është modeli ynë.

• Basha: Rinia dibrane të mos largohet, por të qëndrojë e të luftojë, të rezistojë dhe të votojë për ndryshimin. Më 6 mars, ju vëllezër e motra dibranë, keni mundësinë ta ktheni bashkinë e Dibrës në shërbimin tuaj e jo të një grupi njerëzish që e kanë marrë peng tash sa vite. Bastin e kanë vënën që te vijojne ta marrin peng me marifete e intriga, ndaj votoni Luan Hakën

• Thirrja ime i drejtohet rinisë dibrane anembanë Dibrës: këtë të dielë votoni për Luan Hakën. Thirrja ime po ashtu i drejtohet të gjithë atyre që nuk e kane marrë vendimin, mendoni e gjykoni me mend, si jeni qeverisur këto kohë nëse mund të quhet qeverisje e votoni duke përdoerur mençurinë tuaj, që haka të shkojë të i zoti e bashkia tu kthehet qytetarëve

FJALA E KRYETARIT TË PD, LULZIM BASHA, NË TAKIMIN PËRMBYLLËS TË FUSHATËS PËR KANDIDATIN E PD PËR BASHKINË DIBËR, LUAN HAKA

Ju falënderoj nga zemra vëllezër dhe motra, vëllezër dhe motra dhe shpreh kënaqësinë e dyfishtë që ndodhemi brenda një harku kohor të shkurtër përsëri këtu në zemër të Dibrës, në qendër të Peshkopisë, në një ditë ku dielli shndrinë edhe më fortë, po shkëlqimi i tij na duket edhe më i madh sepse sheshi është mbushur plotë e përplot jo vetëm me nëna dhe baballarë dibranë, por dhe me rininë dibrane. Të cilën e paskeni zgjedhur sot në këtë takim përmbyllës të kësaj fushate të shkurtër, por kaq të rëndësishme për shpresën dhe zemrat e dibranëve, të jetë zëdhënësja e Dibrës dhe dibranëve. E kjo në një trevë ku mençuria është legjendare. E ku mençuria padiskutim, vjen jo vetëm nga geni dibran, por edhe nga përvoja e gjatë jetësore që e pajis dibranen dhe dibranin në një zgjuarsi të rrallë, për të ndarë të mirën nga e keqja, të shkuarën nga e ardhmja, pesimizmin nga optimizmi, ndarje e cila nuk ndodh thjeshtë sot, por ka ndodhur mot së moti, edhe në kohët më të vështira ku nuk e bënin fjalët, por e bënte pushka, e bënte topi, e bënte mençuria dhe trimëria, pena dhe pushka e dibranit. E pra sot ja tek jemi mbledhur për një vendim që do të merret të dielën, Siç e thash, pak kohë na ndajnë nga takimi ynë i fundit, por ndërkohë shumë gjëra kanë ndodhur. Dibra me të vërtetë ka dekada që mbahet e izoluar, pa infrastrukturë, por dibranët e ndodhur kudo anembanë botës dhe këtu në djepin e mençurisë së tyre legjendare, kurrë nuk kanë qenë të izoluar nga ngjarjet që ndodhin anembanë botës. Dhe një nga këto ngjarje padiskutim, e cila po gdhend me shpejtësi atë që do të ndodh në javët, në muajt, në vitet në vazhdim, një nga këto momente të rëndësishme është pushtimi që po i bën Rusia Ukrainës. Ky është një kërcënim për mbarë botën demokratike. Është një betejë midis të keqes dhe të mirës. Është një betejë që Dibra e njeh shumë mirë, sepse ashtu me numra përherë më të vegjël se ushtritë pushtuese, është gjendur gjithmonë në luftërat të pabarabarta. Siç e thonë edhe këngët tona, me dekada duke luftuar në të njëjtën kohë kundër shumë krajlive, por të bashkuar në zemrat tona ia kemi dal të mbrojmë Dibrën, krenarinë e dykrenores kuqezi, të mbrojmë sinoret e kombit tonë. E pra momenti i sotëm është një moment i rëndësishëm edhe për sakrificat e stërgjyshërve tanë, e gjyshërve tanë, sepse ngjarjet që po ndodhin në Ukrainën e largët, faktikisht mund dhe kërkojnë të destabilizojnë edhe rajonin përmes aleatit dhe agresorit të Ukrainës, përmes atyre që siç e thotë kënga, i kanë lënë shapkat shpesh në pyjet e Lurës e në brigjet e Drinit. Aleatit të tyre që u nda nga bota demokratike dhe refuzoi ta dënonte agresionin serb. Por sot, sot ka një dallim të madh, sepse ka vite që shqiptarët në Shqipëri dhe në Kosovë janë të bekuar me një aleat si Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shqipëria sot është pjesë e NATO-s, ndaj askush nuk ka guximin të na kërcënojë, askush nuk ka guximin të na mësyjë, sinoret tona, kullat tona, shtëpitë tona, fëmijët tanë, krenarinë tonë, qytetet tona, sepse çdo sulm kundër Shqipërisë, është sot sulm kundër NATO-s, është sulm kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe 29 vendeve të tjera anëtare. Ne kemi në krah Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe sa kohë që kjo të ndodhë e sa kohë që kjo të jetë e vërtetë jemi të mbrojtur në çdo rast. Ndaj është detyra jonë si Parti Demokratike që të qëndrojmë ashtu siç kemi lindur, partnere e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, parti pro-perëndimore, parti e vlerave. Të tillë kemi lindur, të tillë do të vazhdojmë e të tillë dol të ecim përpara edhe me zgjedhjet që dol të bëjmë këtë të diel. Por, vëllezër dhe motra kjo situatë e krijuar me sulmin e Rusisë mbi Ukrainën do të ndikojë në ekonominë tonë. Siç e shikoni çmimi i karburantit që ka qenë në stratosferë po vazhdon të rritet prandaj siç e keni dëgjuar edhe disa ditë më parë, thirrje ime ndaj kësaj qeverie është të marrë masa të menjëhershme. Të ndalë pagesat korruptive të inceneratorëve që vazhdojnë ti bëjnë edhe sot e kësaj dite që siç e patë ishte një aferë e pastër korruptive. Siç e kishim denoncuar prej 6 vitesh, siç u faktua tashmë edhe në Komisionin Hetimor që është një tjetër ngjarje madhore e cila u zhvillua në harkun kohor pas takimit tonë të fundit dhe takimit tonë të sotëm. Para të shqiptarëve, plot 430 milionë euro që kanë shkuar në xhepat e qeveritarëve. Çdo qeveri sot në botë po merr masa për t’i ndihmuar qytetarët, po siguron rezerva të mjaftueshme karburanti dhe ushqimore, në veçanti po shënjestrën ato familje dhe ato zona që janë në nevojë ekonomike. Dibra, në këtë dekadë është katandisur në një nga zonat me nevojat më të larta ekonomike.
Ndaj në Dibër e kudo në Shqipëri, është koha që këto qindra milionë euro të zhvatura të qytetarëve shqiptarë të taksave të tyre të kthehen tek shqiptarët, e të kthehen në veçanti tek njerëzit në nevojë. Kjo është beteja jonë, dhe kjo është beteja që ne zhvillojmë ditë për ditë ky është modeli ynë.
Ju i dëgjuat Emadën, Kastriotin, Esmeraldën, përfaqësues të denjë, bija dhe bijë të Dibrës, fjalët e tyre rridhnin nga zemra, hallet që përshkruanin janë ulur këmbëkryq në çdo familje dibrane. Thirrja që i drejtojnë bashkëmoshatarëve të tyre, rinisë dibrane është të mos largohet, por të qëndrojë të luftojë, të rezistojë dhe të votojë për ndryshimin.
Por vëllezër dhe motra që kjo të ndodhë duhet që të hedhim hapat e duhur çdo ditë që të shkojmë drejt të ardhmes siç kemi vendosur bashkërisht, të gjithë.
Demokratë dhe shqiptarë duhet çdo ditë që të ecim përpara dhe asnjë ditë të qëndrojmë në vend apo akoma më keq të ecim prapa, ndaj me 6 mars të nderuar dibranë keni mundësinë ta ktheni bashkinë e Dibrës në shërbimin tuaj dhe jo në shërbimin e një grushti njerëzish që e kanë marrë peng tash sa vite.
Tash sa vite e kanë marrë peng dhe bastin e kanë vënë që të vazhdojnë ta marrin peng me marifete dhe me intriga. Dy gjëra dua të ndaj sot me ju.
E para një bisedë midis dikujt, një protagonisti të 2016-ës të masakrës zgjedhore këtu dhe të parit të qeverisë ku i thotë “Si t’ia bëj se po bie telefoni tani duhet të bëj nderet meqë ju kërkova votën. Ky i thotë “Ndërro numrin e telefonin”. Si ta ndërroj numrin e telefonit? Vitin tjetër kemi prapë zgjedhje”. Mos e ki merak thotë Edi Rama se vitin tjetër 20 mijë lekëshi do t’u duket 500 euro shqiptarëve”.
Kjo është filozofia e një qeverie të mbrapshtë, varfëro shqiptarët që t’ua blesh sa më lirë votën, zbraze Shqipërinë nga rinia siç tha Emada që mos të ketë vitalitetin, fuqinë dhe zërin shoqëria për të reaguar. Sepse të gjithë e dimë që çdo lëvizje popullore që rrëzon dhe largon qeveritë e korruptuar si e Edi Ramës, në Shqipëri që prej fillimit në Shqipëri, por edhe anë e mbanë botës rinia ka një vend të veçantë.
Ndaj thirrja ime e parë i drejtohet rinisë dibrane anë e mbanë Peshkopisë dhe komunave të Dibrës dhe atyre që regjistrimin si votues e kanë në Dibër, por jetojnë në Tiranë, Durrës apo kudo tjetër, ejani këtë të diel në Dibrën tonë dhe votoni për Luan Hakën, kandidatin e Partisë Demokratike.
Thirrja ime i drejtohet po kështu të gjithë atyre që nuk e kanë marrë vendimin, mendoni me mend dhe gjykoni me mend.
Shikoni si jeni qeverisur këto kohë nëse mund ta quajmë qeverisje këtë që po ndodh nga Tirana drejt Dibrës, nga Peshkopia drejt Bashkisë dhe votoni duke përdorur mençurinë tuaj, votoni që haka të shkojë tek i zoti, që bashkia tu kthehet qytetarëve dhe për këtë zgjidhja e vetme ka vetëm një emër dhe ky është Luan Haka, kandidati i Partisë Demokratike, numri 2.
Të dashur demokratë, ju drejtohem të gjithëve ju që jeni në këtë shesh dhe kudo që ndodheni.
Disa i përshëndeta gjatë rrugës, disa duke hyrë në qytet tek po punonin, disa të tjerë se kanë marrë akoma vendimin se janë trazuar nga zhvillimet në familjen tonë, dua të ju them se gjatë historisë tonë kemi parë vazhdimisht njerëz që janë larguar, njerëz që e kanë sulmuar Partinë Demokratike, njerëz që e kanë dëmtuar Partinë Demokratike kjo është e vërtetë por po kaq e vërtetë është që Partia Demokratike ka mbijetuar, Partia Demokratike është rritur, Partia Demokratike është forcuar edhe sot kjo parti po rritet, po forcohet.
Mund ta dëmtojnë por askush nuk e ndal dot se ka me vete shpresën, rininë, të vërtetën.
Ne jemi Partia Demokratike e Shqipërisë, kemi lindur si partia e rinisë dhe nga rinia parti pro Evropiane, pro Amerikane dhe pa diskutim do të mbetet e tillë.
Shikojeni këtë shesh, u bëj thirrje të gjithë atyre që na shohin nga media, shikojeni këtë shesh, shikojini sheshet në gjithë Shqipërinë, me kandidatët e Partisë Demokratike si mbushen nga të rinj në një kohë që plaga më e madhe është largimi i të rinjve, kjo është garancia që Partia Demokratike po ripërtërihet, po rritet dhe po shndërrohet në shpresën për çdo shqiptarë.
E patë, e patë Komisionin e Inceneratorëve, e patë se si u zbulua afera e shekullit nga zonja Tabaku dhe anëtarët tanë të komisionit të Partisë Demokratike, ky është modeli ynë i politikes për njerëzit bazuar mbi fakte dhe argumente, larg gjuhës së urrejtjes, fyerjeve, shpotitjeve, sharjeve, a dëgjuat ndonjë sharje apo shpotitje nga brezi I ri? A dëgjuat fyerje, shpifje, sulme? Sigurisht që jo.
E vërteta vonon por nuk harron thotë Dibra, e vërteta dhe e drejta është rruga më e vështirë por është rruga që triumfon, le të triumfojë dhe këtë të diel, le të shkojë haka tek I zoti dhe Luan Haka në bashkinë e Dibrës në emër të gjithë qytetarëve dibranë.
Zonja dhe zotërinj, ju ftoj masivisht të dilni e të votoni për kandidatin e Partisë Demokratike Luan Haka.
Zonja dhe zotërinj kam privilegjin ti jap fjalën birit tuaj, kryetarit të ardhshëm të bashkisë Luan Haka.