Ja shtyllat si kanë operuar inceneratorët
Raporti i PD prej 120 faqesh
Afera masive financiare rezulton se është mbështetur në dy shtylla kryesore:
1. Përfitimi i kontratave koncensionare nga kompani, të lidhura ngushtësisht me njëra-tjetrën, pa përvojë dhe pa aftësi financiare; në shkelje të procedurave në hartimin, miratimin dhe zbatimin e kontratave koncensionare
2. Përdorimi i fondeve publike përmes një skeme pastrimi parash për t’i nxjerrë këto fonde jashtë vendit apo duke kryer pagesa me kompani fiktive si dhe kompani që zotërohen nga të kërkuarit në arrati Zoto-Gugallja-Mërtiri.
Në qendër të skemës janë disa kompani private, të përfaqësuara nga një grup i vogël personash me lidhje të ngushta me njëri-tjetrin, të cilat kanë përfituar kontrata koncensionare, nëpërmjet veprimeve anti-ligjore të zyrtarëve më të lartë shqiptarë.
Disa prej këtyre zyrtarëve, siç ka rezultuar nga të dhënat e siguruara, rezultojnë që janë lidhje shoqërore e miqësore me personazhet-biznesmenë, përfitues të “aferës së inceneratorëve”.
Kompanitë që kanë fituar kontratat koncensionare për ndërtimin e landfill+incenerator në Elbasan, Fier dhe Tiranë, nuk kanë pasur asnjë përvojë në fushën e përpunimit dhe incenerimit të mbetjeve urbane.
Kompanitë koncensionare, siç rezultojnë nga dokumentet zyrtare, nuk kanë pasur as kapacitetete financiare për ndërtimin e tre landfilleve dhe inceneratorëve, vlera operacionale e të cilave përllogaritet në rreth 150 milionë euro, pa përfshirë përfitimet e tjera nga shërbimi i depozitimit dhe incenerimit të mbetjeve urbane, prodhimin dhe shitjen e energjisë si dhe depozitimin e dherave të sigurara si një monopol përmes veprimeve dhe mosveprimeve të qeverisë qendroe dhe asaj lokale.