jo Sot kemi për të diskutuar një projektligj për mediat audiovizive, ndërkohë që, siç dëshmojnë raportet ndërkombëtare, gjendja sot është më kritike se kurrë. Mediat janë të censuruara, gazetarët janë nën presion dhe linja editoriale diktohet nga qeveria. Kjo është ajo që thuhet në pothuajse çdo raport ndërkombëtar. Vit pas viti, Shqipëria ka humbur shumë vende sa i përket lirisë së medias.

Në fakt, nuk ka se si të ndodhë ndryshe. Në një vend ku kryeministri i quan mediat kazan, gazetarët budallenj dhe përpiqet që të shndërrohet vetë në pronar e drejtor televizioni, është e vështirë të imagjinohet që do të kishim media të lira dhe të pavarura. Unë dua sot të ndalem në tre raste. Tre raste që ilustrojnë më së miri sjelljen e qeverisë Rama ndaj mediave në tre mandatet e saj.

Në mandatin e parë, kryeministri Rama dhe ministrat e tij iu vërsulën me gjithë makinerinë shtetërore që kishin në dispozicion televizionit Agon Channel, me të vetmen arsye sepse ishte një media opozitare, kritike me qeverinë dhe kishte në organikën e saj gazetarë me integritet. Sulmet dhe raprezalja nuk ndaluan derisa ia dolën të shkatërronin një investim 40 milionë euro. Ndryshe nga sa thoshte kryeministri se ato ishin para të pista, arbitrazhi ndërkombëtar në vendimin e saj thotë se vinin direkt nga Deutche Bank.

Ndërkohë 110 milionë euro është detyrimi që sot qytetarët shqiptarë duhet të paguajnë për sjelljen e paligjshme të Edi Ramës

Presioni ndaj mediave të pavarura dhe për të kontrolluar linjën e tyre editoriale vijoi sërisht edhe në mandatin e dytë. Ata përdorën të njëjtin mekanizëm, me paligjshmëri të plotë për të shkatërruar një tjetër media kombëtare, kritike dhe opozitare, televizionin Ora News. Personalisht kryeministri kërcënoi me prokurori e gjykata, sikur këto të mos ishin institucione të pavarura, por mekanizma në shërbim të Rames

Edhe këtë televizion ia arritën ta konfiskojnë, por fatmirësisht akoma nuk ia kanë dalë të shuajnë zërin e gazetarëve të atij televizioni.

Nuk u mjaftuan me kaq. Në fillim-mandatin e tretë, pasi nuk ia doli ta blejë nëpërmjet oligarkëve të tij, Edi Rama, me të gjithë makinerinë shtetërore, me ruspa, me tritol, me polici e inspektorë iu vërsul bizneseve të Hysenbelliu Group, duke shkatërruar një prej investimeve më të mëdha përgjatë bregdetit të Adriatikut. Hoteli, ku Rama, ministrat dhe deputetët e tij kishin ngrënë dreka e darka, kishin skicuar projekte, e ishin mburrur përpara miqve ndërkombëtarë, si në rastin e afganëve, papritur u kthye në simbol të paligjshmërisë dhe duhej shkatërruar me çdo kusht. Askush nuk di të thotë sot se pse hoteli u shkatërrua me tritol, ndërsa godinat e tjera u konfiskuan, ndërkohë që së paku mund të ruhej i njëjti standard.

A mos ndoshta kësaj rradhe kryeministri i druhej se pasi gjykatat kombëtare a ndërkombëtare të shpallnin paligjshmërinë e këtyre veprimeve shteti duhej ti kthente godinat e konfiskuara, prandaj hoteli duhet të shkatërrohej, që mos kthehej më kurrë.

Opinioni publik i shokuar  u vu sërisht para një akti të parecedentë dhe në paligjshmëri të plotë që në emër të institucioneve shtetërore u shfaqën individë të maskuar dhe me mjete rrethanore, për të hapur dyert, sikur të ishin një bandë mafioze dhe jo nënpunës të administratës publike. Tashmë është e njohur botërisht se ajo se cfarë ndodhi në Prestige Resort ka zero lidhje me Kushtetutën apo ligjin. Ajo është fund e krye e lidhur vetëm me faktin se Edi Rama nuk pranon kurrësesi që ndaj tij të ketë zëra kundër, të ketë zëra kritikë e opozitarë. Këtu nuk e them unë apo opozita, këtë e thotë Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin për vitin 2022: sulmet ndaj Prestige Resort ishin për shkak të linjës editoriale të mediave të grupit.

Sjellja ndaj Agon Channel, Ora News dhe News24 janë fytyra e qeverisë shqiptare në raport me lirinë dhe pavarësinë e medias. Prandaj, çdo iniciativë që ju sillni këtu duke pretenduar se do të përmirësoni tregun mediatik është e gënjeshtërt, është fasadë, është hipokrizi. Qëllimi juaj i vërtetë është t’i shndërroni të gjitha mediat e vendit në ERTV.

Meqë ra fjala të ERTV, hajdeni këtu zoti kryeministër dhe thuajuni shqiptarëve me çfarë parash i keni paguar xhirimet, gazetarët, kameramanët dhe montazhierët që punojnë për televizionin tuaj privat; hajdeni dhe thuajuni shqiptarëve me çfarë parash e financoni podcastin tuaj? Me çfarë parash i keni blerë pajisjet dhe mobiluar studion? Me çfarë parash i paguani kameramanët, montazhierët dhe stafin që punon për podcastin tuaj? Hajdeni këtu dhe bëni transparencë për fondet dhe paratë që financojnë propagandën tuaj. Nëse nuk e bëni ju, atëherë duhet ta bëjnë organet ligjzbatuese. Sepse nuk mund të kërkoni nga mediat, atë që ju vetë nuk e bëni zoti kryeministër, transparencë të plotë. Aq më tepër që mediat punojnë me fonde private, ndërsa ju përdorni paratë e taksapaguesve shqiptarë.