Sot jemi mbledhur për të prezantuar Pranverën, e cila, ashtu si e ka emrin, do t΄i japë jetë dhe shpresë aspiratave të demokratëve në Bashkinë e Patosit dhe do të kontribuojë për fitoren e kauzës sonë demokratike dhe perëndimore. Jam njohur me punën e palodhur të ekipit të saj për të sjellë përpara qytetarëve të Patosit një platformë të denjë për këtë bashki, politika të zgjuara dhe masa konkrete, me njerëz të përkushtuar për t΄i vënë në zbatim.
Nuk e kam herën e parë që vij në Patos. Por këtë herë vij ndryshe. Sepse Partia Demokratike që drejtoj, gjendet, prej një viti e gjysmë, nën një sulm të pareshtur. Partia jonë po goditet nga ish-lideri i saj historik, po goditet nga Sali Berisha.
Pse na godet? Të gjithë e dimë hallin personal të tij, shpalljen non grata për inkurajim të korrupsionit madhor dhe minim të demokracisë nga aleati ynë më i madh perëndimor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Që prej fundit të korrikut është shpallur non grata edhe nga një aleat tjetër yni, Britania e Madhe. Pra e kanë shpallur non grata, personalisht dhe familjarisht, të majtët e Amerikës dhe të djathtët e Britanisë. Sepse në politikën e jashtme, të majtë e të djathtë, në vendet demokratike serioze, janë të unifikuar.
֍֍֍
Unë kam bashkëpunuar me Sali Berishën dhe, natyrisht, më vjen keq për këtë që i ndodhi. Por ai zgjodhi që hallin e tij personal ta bëjë problem të Partisë Demokratike dhe t΄ia faturojë demokratëve, njerëzve më të vuajtur, më energjikë dhe më besimplotë të këtij vendi.
Pas 9 shtatorit, kur kryetari i Partisë Demokratike, në përputhje të plotë me vlerat euroatlantike mbi të cilat është ngritur PD-ja, ia pezulloi praninë në grupin parlamentar derisa të zgjidhej statusi i tij non grata, në vend që të tërhiqej në jetën e tij dhe të trajtonte personalisht problemin me SHBA, në rrugë ligjore, Sali Berisha iu fut një fushate për t’i vënë kazmën Partisë Demokratike. Ai ndërtoi një proces antistatutor dhe të paligjshëm duke ndërtuar organe dhe struktura paralele në PD dhe duke mbledhur në 11 dhjetor një kongres të paligjshëm të cilin Gjykata e Apelit e rrëzoi dhe e quajti nul.
Por nuk u mjaftua me kaq. Ai erdhi në 8 janar dhe sulmoi fizikisht selinë e Partisë Demokratike duke dhënë shembullin e një barbarie të pashoqe për jetën publike kombëtare dhe ndërkombëtare. Në 6 mars të vitit të kaluar në një koordinim perfekt me trekëndëshin, në zgjedhje krejt të sajuara, mori demokratë dhe i çoi nëpër sigla të tjera socialiste, duke goditur shanset e demokratëve për të fituar këto zgjedhje.
Aktet e tij kundër PD nuk përfundojnë këtu! Edhe pse ish-kryetari Lulzim Basha dha dorëheqjen për të mos e vazhduar përçarjen, me pretendimin logjik që të njëjtën gjë ta bënte dhe Sali Berisha, me qëllim që demokratët të shkonin drejt një procesi dhe të ndalej kjo përçarje dhe dhunë e brendshme verbale ose fizike herë pas here, Sali Berisha vazhdoi veprimet e tij të njëanshme. Ai bëri kongres të njëanshëm në 30 prill, bëri zgjedhje të njëanshme duke u zgjedhur kryetar i PD dhe duke përmbysur çdo rregull apo logjikë politike. Ai, duke mashtruar demokratët se është njeriu që do ti çonte në fitore, dhe kush?! Ai që humbi në vitin 2013! Jo vetëm kaq. Ai që në fund të korrikut të këtij viti qeveria konservatore britanike e shpalli non grata. Dhe ajo nuk ishte qeveri sorroiste, ishte qeveri e partisë sonë simotër, ishte qeveri anti-sorroiste dhe e shpalli me të njëjtat terma nongrata Sali Berishën, tashmë me një dosje të plotë të vënë përpara syve të tij.
Sali Berisha nuk mund të vazhdojë!
Duke pretenduar se do të rrëzonte për disa ditë qeverinë apo Edi Ramën, por në koordinim të thellë me të, ai organizoi procesin e njëanshëm të primareve duke manipuluar dhe gënjyer demokratë për shanset për pushtet të një partie të udhëhequr nga non grata, shanse të cilat thjesht nuk ekzistojnë. Megjithatë, qëndrimin tonë të arsyeshëm për bashkim ai e refuzoi duke bërë një proces të njëanshëm primaresh. Negocatiat Bardhi – Paloka dështuan sepse Sali Berisha nuk pranoi asgjë, sepse kërkonte jo bashkim por imponim, jo fuzion por nënshtrim dhe asimilim. Kulmi i veprimit shkatërrimtar të tij ndaj Partisë Demokratike qe pas 3 marsit, pas vendimit të Gjykatës së Apelit në një kohë shumë të shkurtër, vendim i mbajtur peng gjatë nga qeveria e Edi Ramës. Gjëja më absurde, që dëshmon qartë se qëllimet e Sali Berishës që nuk janë për demokratët, nuk janë për shqiptarët, nuk janë për simpatizantët, por janë për të krijuar një moment imponues për hallin e tij me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është refuzimi nga Sali Berisha i ofertës sonë zyrtare që kandidatët e primareve të ishin kandidatë të Partisë Demokratike dhe të vinin të kandidonin në shtëpinë e tyre, me logon e tyre. Ai refuzoi çdo bashkëpunim me Partinë Demokratike në këto zgjedhje duke i çuar demokratët sërish në sigla dhe logo të tjera socialiste apo s’dihet çfarë, duke pasur vetëm një qëllim: të dëmtojë sa më shumë shanset e partisë demokratike në zgjedhjet e 14 majit. Bashkë me veglat e qeverisë, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, lloj-lloj pengesash dhe stërkëmbshash i nxorën demokratëve për të konkurruar në zgjedhje.
Ja pra, ky është Sali Berisha, që kërkon ta përçajë Partinë Demokratike dhe ta përçajë në momentin që ai nuk e ka një instrument kundër perëndimit, për t’ju kundërvënë politikës amerikane në Shqipëri.
Sali Berisha ka tri motive për këtë sulm të pashembullt ndaj partisë sonë. Së pari, ai kërkon ta kthejë Partinë Demokratike në një bunker anti-amerikan, për t΄u mbrojtur nga veprimi i drejtësisë për akuzat që i janë bërë nga aleatët tanë të mëdhenj. Së dyti, kërkon të marrë monopolin e opozitës dhe, duke bërë këtë, të vazhdojë t΄i japë oksigjen qeverisë së Edi Ramës. Së treti, e sulmon partinë tonë për të krijuar një lëvizje anti-amerikane në Shqipëri. Ai e quan lëvizjen e tij sovranizëm, përdor sloganin “Shqipërisë i dalim zot”; por të gjithë e dimë se shtetet europiane e kanë deleguar sovranitetin te NATO dhe Bashkimi Europian. Në rast lufte nuk na del zot Sali Berisha dhe ata që i shkojnë pas, por NATO, sipas nenit 5 të traktatit të saj. A mos e ka fjalën Sali Berisha se i del zot Shqipërisë kundër Amerikës?
Për t΄i arritur qëllimet e veta që bien ndesh me ato të Partisë Demokratike, Sali Berisha bashkëpunon edhe me Ilir Metën edhe me Edi Ramën. Pa kurrfarë morali politik, pa respekt për traditën, për kujtesën dhe historinë e demokratëve.
֍֍֍
Atëherë, çfarë do të bëjmë ne?
Ne do të jemi konkurrentë seriozë dhe të qartë në këto zgjedhje vendore, edhe pse koha është e shkurtër, edhe pse rrethanat janë të vështira. Ne ftojmë në një aleancë politike të gjitha partitë parlamentare ose jo, nga qendra në të djathtë të cilët janë për idealet euroatlantike, janë për orientimin perëndimor të Shqipërisë, janë për të luftuar dhe rrëzuar trekëndëshin e Bermudës të përfaqësuar nga tri pikat simbolike të tij Rama-Berisha-Meta që përbëjnë të shkuarën, që janë problemi dhe asesi zgjidhja. Kjo aleancë me qëllim strategjik kërkon që të trajtohet edhe pas 15 majit si një përqendrim dhe bashkim i shumicave demokratike. Këta jemi ne, demokratët e Shqipërisë!
Ne do të i futemi një procesi organizimi të brendshëm elektoral, tërësor dhe kapilar, për tu rikthyer në pushtetin lokal me sa më shumë bashki dhe këshilltarë për t’i dhënë jetë demokracisë lokale pas zgjedhjeve të njëanshme të vitit 2019. Kandidatët tanë do të jenë fryma euroatlantiste në politikën shqiptare. Ata do të jenë nismëtarët e rikthimit të demokracisë shqiptare në shinat e normalitetit, në shinat e standardeve. Do të jenë kandidatët që jo vetëm politikisht por edhe praktikisht do t´i hapin bashkitë pranë qytetarëve.
Si përfundim, kantieri më i madh për ne demokratët e Shqipërisë është pas 15 majit. Ne kemi të drejtën të jemi Partia Demokratike e Shqipërisë, partia më e bukur e lindjes.
Ne jemi demokratët e Shqipërisë dhe jemi këtu për të mbrojtur frymën euroatlantiste të vendit, ne jemi bartës së idealeve të lëvizjes së dhjetorit dhe të gjithë atyre që luftuan gjatë gjithë këtyre viteve që Shqipëria të jetë perëndim dhe jo lindje, që Shqipëria të jetë demokratike dhe jo demokraturë, që të udhëheqë tregu i lirë dhe jo mafia, që njerëzit të gëzojnë frytet e këtij sistemi, e kësaj natyre të mrekullueshme.
PD mbas 15 majit do t’i nënshtrohet një procesi kapilar për zgjidhjen e organeve drejtuese të saj, duke iu futur një procesi të gjerë demokratik me rregulla të reja, me parime të reja, për ta lënë pas traditën berishiste, për t’u ndarë nga e kaluara e për të bërë një hap të ri, për ta lënë pas gjuhën e dhunës dhe të urrejtjes dhe për të mundësuar ndërtimin e një aleance me shumë potencial për vitin 2025.
Le të shkojmë drejt këtyre zgjedhjeve me besim, angazhim dhe përgjegjësi të plotë për misionin tonë. Kauza jonë euroatlantiste, e mbështetur qartë dhe pa hezitim nga aleatët perëndimorë, do të fitojë. Do të fitojë se përfaqëson të mirën, do të fitojë se përfaqëson aspiratat perëndimore të shqiptarëve, do të fitojë se është në anën e duhur të historisë.
Zgjidhni Partinë Demokratike! Zgjidhni të Ardhmen! Zgjidhni Pranverën!