Kryetari i komanduar i Partisë Demokratike, z. Enkeld Alibeaj:
“Jemi sot për përpilimin dhe artikulimin e programit. Rëndësia e këtyre zgjedhjeve, është bërë e ditur tashmë, për Partinë Demokratike dhe veçanërisht për Tiranën. Megjithëse e pranoj që janë zgjedhje në kushte të komplikuara, për Partinë Demokratike, për gjithë kalvarin që PD ka kaluar vitin e kaluar. Këto janë zgjedhje shumë të rëndësishme për shqiptarët. Ky është moment për të bërë dallimin e madh. Falë rezistencës së demokratëve, PD do të ndihet më e fortë, do të jetë alternativa qeverisëse në të ardhmen, pavarësisht vështirësive, sepse është kontributi i njerëzve të lirë”.
“E kishim për detyrë, për mision, që këto kauza të mos mbeteshin në mes. Jemi sot më të bindur se asnjëherë tjetër që vlerat për të cilat besojmë për një parti demokratike perëndimore, vlerat e demokracisë dhe parimet e shtetit të së drejtës, janë këto thelbi, seti kryesor i lindjes dhe ekzistencës të Partisë Demokratike. Këto parime për të cilat i kemi mbrojtur dhe do t’i mbrojmë gjithmonë. E drejta, e vërteta edhe mund të vonojë, por një gjë është e sigurtë: do të triumfojë! E kemi detyrim tjetër, jo vetëm për ekzistencën e PD, jo vetëm për çuarjen para e këtyre kauzave, por për riprofilizimin e së djathtës në Shqipëri. E pastër ideologjikisht, qartësisht e orientuar drejt euro-atlantizmit që mbron vlerat e munguara të demokracisë shqiptare”.
“Për këtë qëllim beteja që kemi për Tiranën merr një rëndësi të veçantë. Tirana është kryeqyteti i të gjithë shqiptarëve, vendi ku banojnë 1/3 e shqiptarëve, është qendra ekonomike, qendra e zhvillimit, qendra politike”.
“Ndaj edhe mbështetja jonë për Roland Bejkon është mbështetja jonë në fakt për Partinë Demokratike, për të ardhmen e Partisë Demokratike. Jam i bindur se kandidatura dhe profili i Roland Bejkos është esenca e asaj se çfarë partia Demokratike duhet të ishte në këto 30 vite dhe do të jetë nesër.”
“Nuk i fsheh vështirësitë që kaloi PD nga agresioni që iu bë nga PS, nga Edi Rama, Sali Berisha, Ilir Meta e kushdo tjetër. Targeti i vetëm ka qenë PD. Këta burra e gra, njerëz serioz kanë një veçori, janë të pakapur. Është e kuptueshme dhe normale që në një situatë të tillë anormale, zvarritje në gjyqe me luftë të bërë në institucione si KQZ, me seli të zaptuar që ne të bënim prezantimin”.
“Të gjithë ata kandidatë synimin e kanë për t’i dhënë frymëmarrje Shqipërisë duke iu drejtuar pushtetit të Edi Ramës por s’është normale që një pjesë tjetër kanë synimin t’i ngulin thikë pas shpine këtij grupi të nderuar. Synimi i PD është prezantimi serioz dhe marrja e një rezultati dinjitoz. Serioze është beteja që është bërë deri tani, qëndresa në kushte aspak të favorshme, prezantimi për t’i dhënë një alternativë”.
“Jemi më të bindur që vlerat tek të cilat besojmë te një PD perëndimore, vlerat e demokracisë dhe parimet e shtetit të së drejtës janë thelbi kryesor i lindjes dhe ekzistencës së PD. Vlera si integriteti, koherenca, idealizmi, kontributi historik, mosbërja kompromis janë vlera që duhet t’i bëjmë së bashku. Kjo është baza me të cilën do të ecim gjatë kësaj fushate në shërbim të Tiranës jo vetëm tani por edhe në të ardhmen”.
“Këto parime i kemi mbrojtur gjithmonë, e drejta, e vërteta edhe mund të vonojë”.
Kandidati për Bashkinë e Tiranës, z.Roland Bejko
“Së pari doja të falënderoja dhe të prezantoja para gazetarëve hartuesit e programit të Partisë Demokratike për fushatën elektorale 2023 në Tiranë dhe të bëja prezantimin e tyre. Është z. Mateo Spaho, dekan në Fakultetin Ekonomik në Universitetin Marin Barleti, i cili ka qenë drejtues i klubit të hartimit të programit, znj. Enrieta Papa, e cila është drejtuese e fushatës, znj. Mirela Karabina, drejtuese e komunikimit dhe mediave, znj.Taulanta Jupi, Koordinarore e Art-Kulturë-Trashëgimisë, znj. Jonila Godole është koordinatore e partneriteteve me organizatat e ndryshme, të huaja, kryesisht dhe veçanërisht edhe me të përndjekurit politikë, z. Gazmend Koduzi, është koordinator për çështjet e Shëndetësisë, Znj. Valnera Ziu, koordinatore për çështjet e anti-korrupsionit, z. Rezart Cubi, avokat, koordinator për Pronat dhe çështjet ligjore, si dhe një numër i lartë ekspertësh të tjerë të cilët punuan për programin tonë, të ardhur kryesisht nga bota universitare, ekspertë të fushave të ndryshme, me profile të spikatura në organizata joqeveritare, dhe organizata të huaja”.
“Synimi im kryesor ishte që të bashkëpunoja me mendjet më të mira që ka Tirana në këto fusha, për të profilizuar një program qartësisht të djathtë me një identitet qartësisht të djathtë, i cili do të prezantohet gjatë ditëve të tjera të fushatës”.
“Falenderoj me këtë rast kryetarët e partive demokratike të degëve në Tiranë, të cilët më kanë krijuar kushtet për fillimin e fushatës elektorale, bashkëbisedimin me strukturat, dhe mbi të gjitha ata kanë zhgënjyer këdo që ka besuar se Partia Demokratike nuk ka njerëz. Sepse pjesëmarrja e lartë e anëtarëve, simpatizantëve dhe mbështetësve tanë në këto takime, ka qenë e dukshme dhe masive. Natyrisht aty kam gjetur besimin dhe frymëzimin se kjo fushatë nuk do të jetë e vështirë për mua, përkundrazi do të jetë e lehtë.”
“Ne programin e kemi gati. Tezat e këtij programi do bëhen publike ditën e çeljes dhe çdo pikë e këtij program do të prezantohet te grupet e interesit, banorët e zonave rurale dhe atje do flitet qartë. Stili më i mirë i të bërit fushatë është të shkosh derë më derë, të takoj sa më shumë qytetarë të shtrëngimit të sa më shumë duarve. Por kjo s’do të thotë se do lëmë pjesë të tjera të Tiranës edhe pse koha është e shkurtër, gati 30 ditë.”
“Do thuhet e vërteta që është aleati ynë më i madh në këtë zgjedhje”.
“Do kemi një rrugëtim intensiv por së bashku do ia dalim”.
“I ftoj të gjithë ata që e quajnë veten të djathtë të votojnë, të mos hutohen nga ata që dikur ishin të djathtë po sot janë strehuar tek e majta. E kam fjalën për koalicionin në të cilin një pjesë e mirë e demokratëve janë strehuar në ombrellën politike të Ilir Metës. Vota, shkon tek Meta jo te PD. Kështu që, i ftoj demokratët të jenë racionalë”.
“Qëllimi ynë është të çlirojmë Tiranën nga kthetrat e grabitqarëve”.