Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka replikuar me kryetaren e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave.

Bardhi i ka pyetur inspektoren e përgjithshme të ILDKPI, Evgjeni Bashari, se pse ky institucion nuk ka hetuar pasurinë e ministres, Olta Xhaçka, ku burri i saj është shpallur nga qeveria si investitor strategjik.

Ai gjithashtu i ka drejtuar pyetje se pse nuk është hetuar pasuria e ish-zëvendëskryeministrit, Arben Ahmetaj, pasi në dosjen e SPAK rezulton që ka pasuri të padeklaruara.

 

Replika e plotë e kreut të Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi:

Unë në fakt kam bërë 3 pyetje dhe do të doja të merrja përgjigje. Siç edhe e dini zonja inspektore, unë i jam drejtuar edhe zyrtarisht institucionit tuaj. Opozita ka paraqitur një mococion në Kuvend ndaj deputetes zonjës Olta Xhaçka, e meqë ra fjala zonja kryetare, besoj ka 10 ditë që në tryezën tuaj është paraqitur raporti i këshillit të legjislacionit dhe do të duhej të merrnit masa për ta çuar çështjen përpara në përputhje me kushtetutën dhe rregulloren, sepse po bëheni pengesë të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese. Kjo thjesht për kujtesë, meqenëse jemi tek tema. Nga ku rezulton zonja inspektore që ministrja dhe deputetja Olta Xhaçka, së bashku me bashkëshortin e saj janë bërë investitorë strategjikë, në përputhje me një ligj që në fakt e kanë votuar të dy në cilësinë e tyre si deputetë të Kuvensit të Shqipërisë. Sipas këtij statusi, bashkëshorti i ministres dhe deputetes, Olta Xhaçka, e për rjedhojë sipas kodit të familjes edhe vet ministrja, në masën 50%, kanë përfituar të drejtën për të përfituar pasuri publike të shtetit shqiptar, sikundër kanë përfituar lehtësira të tjera, përfshirë reduktimin e tatimit mbi vlerën e shtuar. Verifikimi i gjendjes së konfliktit të interesit, e mbi të gjitha të ligjshmërisë së pasurisë është një nga përgjegjësitë që ka institucioni juaj. Pavarësisht mocionit, debatit në Kuvend e me radhë, rezulton që ju nuk keni nisur deri në momentin kur unë i jam drejtuar zyrtarisht, sipas përgjigjes së parë të ardhur nga institucioni juaj, nuk kishit nisur asnjë procedurë verifikimi. Më pas keni bërë një verifikim siç më keni informuar, ku në fakt nuk keni nxjerr dot asnjë konkluzion. Pyetja që kam unë është: Sipas verifikimit që ju keni kryer, cili është burimi i 5 milionë eurove të investimit të familjes të ministres Xhaçka? Sepse siç e dini, projekti për të cilin është dhënë statusi i investitorit strategjik ka një vlerë 5 milionë euro. Nga konsultimi që ne kemi bërë i deklarimeve të pasurisë të familjes së ministres, nuk rezulton që ata të kenë burim të ligjshëm në vlerën 5 milionë euro. A keni informacion ju, cili është burimi i këtyre të ardhurave dhe a është i ligjshëm ky burim? Shtuar kësaj si një nënpyetje, a mundet që një deputet i Shqipërisë të përfitojë të drejtën për të përdorur brigjet e detit, pra një pasuri publike dhe a mundet një deputet të votojë një ligj i cili më vonë të përfitojë vet?
Pyetja e dytë ka të bëjë me një tjetër rast i cili në fakt tregon mosveprim nga ana e institucionit tuaj. Besoj jeni njohur gjatë këtyre ditëve me një pasuri përrallore të padeklaruar të ish-zëvendëskryeministrit zotit Arben Ahmetaj, që sipas Prokurorisë, ka fshehur pronësinë e mbi dy vilave në bregdet, ka një shumë të konsiderueshme parash të padeklaruara, ka kryer transaksione të paligjshme për të fshehur paratë e korrupsionit. Në dijeninë tuaj, a ka qenë zoti Ahmetaj gjatë këtyre viteve që kryen funksionin e ministrit, zëvendëskryeministrit dhe deputetit subjekt i një hetimi të thelluar nga ILDKPI dhe si ka mundësi që institucioni juaj ka qenë në mungesë veprimi apo nuk ka qenë në gjendje të identifikojë këtë pasuri të paligjshme të këtij zyrtari.
Së treti, rezulton që gjatë gjithë kohës që ju drejtoni këtë institucion, nuk rezulton të keni marë asnjë masë apo ndaj ndonjë deputeti apo ministri, për deklarim të remë apo fshehje të të ardhurave apo fshehje të pasurisë. Besoni vërtetë që deputetët apo ministrat gjatë gjithë kësaj periudhe që ju keni kaq të ligjshme e kanë këta pasurinë? Pra perceptimi që ka opinioni publik që deputetët apo ministrat në abuzimet me detyrën e tyre përfitojnë para në mënyrë të parregullt, është një perceptim i gabuar i opinionit publik apo është mosveprim i institucionit tuaj për të mos verifikuar ligjshmërinë e pasurisë në mënyrë korrekte të secilit prej tyre?
Faleminderit!