Kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka vijuar takimet ditën e sotme me demokratët e Lezhës.
Basha shprehet se demokratët dhe shqiptarët nuk do të ‘mbeten peng i halleve personale të politikanëve të korruptuar dhe inkriminuar’. Më tej tha se ata që shkelin ligjin dhe abuzojnë me pushtetin duhet të mbahen përgjegjës para drejtësisë.
Sipas Bashës, demokratët dhe shqiptarët nuk do të ‘mbeten peng i halleve personale të politikanëve të korruptuar dhe inkriminuar’.
Postimi i plotë:
Partia Demokratike është partia e parë opozitare, partia e shpresës së parë dhe ka për mision të kthehet një orë e më parë në detyrën që i ka ngarkuar historia dhe shqiptarët, në një aleancë të pacekshme me SHBA, Britaninë e Madhe dhe BE.
Ne do të bëjmë ndarjen në mënyrë të qartë dhe përfundimtare të së ardhmes nga e shkuara. Askush nuk do të mund ta ndalë këtë sado të përpiqet. Demokratët dhe shqiptarët nuk do të mbeten peng i halleve personale të politikanëve të korruptuar dhe inkriminuar.
Ata që shkelin ligjin dhe abuzojnë me pushtetin duhet të mbahen përgjegjës para drejtësisë. Vetting-u i politikanëve është kontributi më i rëndësishëm që gjithkush që e konsideron veten të pastër mund të japë për një politikë të pakorruptuar dhe inkriminuar, që i jep fund modelit të përbaltjes.
Përballja pa kompromis me korrupsionin, pastrimi i politikës, dhënia fuqi qytetarëve të zgjedhin me votë përfaqësuesit e tyre në Parlament, vota e diasporës janë jetike në rrugën që kemi nisur për çlirimin e politikës dhe ekonomisë.
Ne do të ndërtojmë një aleancë gjithëpërfshirëse me të gjithë faktorët shoqërorë, për të çliruar sistemin politik dhe atë ekonomik përmes:
✅ Listave të hapura;
✅ Vetting-ut në politikë;
✅ Kufizimit të mandateve;
✅ Votës së diasporës;
✅ Zgjedhjes së Presidentit nga populli.
Ne do të ndërtojmë një parti moderne, që reflekton kërkesat e kohës, shoqërisë dhe nevojave të saj, që respekton kontributet, garanton karrierën, forcon meritokracinë, e hapur ndaj të rinjve dhe mendimeve të reja. Ky është modeli që duhet t’u japim shqiptarëve, si shembull i ndryshimit që po ndërmarrim për Shqipërinë.