Jashtëzakonisht emocionues fjalimi i ministres Kumbaro që mbrojta e mjedisit qënka interesi më i mirë kombëtar dhe nuk paska punë më të mirë që mund ti bëjmë kombit sesa të mbroni mjedisin. Shumë dakord bie me zonjën ministre, e cila besoj është shumë e qartë se çfarë po ndodh sot në lumin Erzen me inceneratorin e Tiranës. Liksiviatë quhet mbetja toksike që shkarkon kompania e inceneratorit në lumin Erzen. Projekt i cili ka i kushtuar 430 milion Euro buxhetit të shtetit, i cili është një dëm i drejtëpërdrejtë për mjedisin.
Në vend që t’na predikoni ne këto nacionalizma fallco me mbrojtje mjedisi me fjalë, bëjeni këtë me vepra! Ndaloni veprën korruptive të inceneratorit të Tiranës! Ndaloni hedhjen e mbetjeve toksike në lumin Erzen! Njëkohësisht i shpëtoni buxhetit të shtetit 430 mln Euro korruptive që ministrat tuaj të shkretë po degdisen nga burgu në burg, nga qelia më qeli duke i mbrojtur.
Dhe unë si gjithë shqiptarët ndjehem krenare kur takime ndërkombëtare zhvillohen në Shqipëri, kur ju pëlqejnë dhe i tërheqin bukuritë dhe trashëgimitë e vendit apo mikpritja, por kur erdhën në Vjosë përfaqësuesit e Komunitetit të Energjisë, a i treguat aeroportin e Vlorës që po ndërtohet mu në deltën e zonës së mbrojtur znj. Kumbaro? A i treguat që sot mbi 1300 specie të mbrojtura janë në rrezik dhe që Konventa e Bernës po shkelet nga qeveria me këtë ndërtim i cili është dhe pa leje?
Këto duhet të flasim, pastaj thirrjet patetike për opozitën se çfarë duhet të bëjmë ne për mbrojtjen e mjedisit nga podiumi, le t’ia kursejmë njëri tjetrit!
Por dua t’ju lartësoj për faktin që jeni një ndër ministret e vetme që dhatë informacion parlamentit për procesin screening. Si kryetare e Komisionit të Integrimit dhe KKIE, mund t’më korrigjojë dhe z. Balla, kemi 0 informacion nga qeveria shqiptare për procesin e screening. Nuk e dimë sesi po raportohet dhe si po performon qeveria sipas burimeve të qeverisë, pasi unë burimet e mia i kam.
Ky nuk është një proces privat dhe ju nuk mund të privatizoni çdo gjë në këtë vend. Është proces publik dhe kombëtar, që duhet të kishte një diskutim që të informoheshin dhe deputetët.
Është e vërtetë që kapitulli i mjedisit është një nga kapitujt më të vështirë si nga niveli i ekspertizes, si nga niveli i detyrimeve që duhen zbatuar dhe nga impakti që do të ketë në vendimet e ardhshme të bizneseve dhe zhvillimet e investimeve të tyre.