Kryetari Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardh, ka reaguar për arrestimet e SPAK në lidhje me koncesionin e sterilizimit.
Ai shprehet se SPAK duhet të hetojë me guxim dhe përgjegjshmëri personat real përgjegjës për këto abuzime.
Sipas Bardhit, personat real përgjegjës për këto abuzime janë Edi Rama, Ilir Beqaj dhe Ogerta Manastirliu që duhet të hetohen e ndëshkohen për miliona euro abuzime e vjedhje.
Reagimi i plotë i Gazment Bardhit:
Korrupsioni, abuzimi me detyrën dhe shpërdorimi i fondeve publike, për klientë të parazgjedhur të Qeverisë së Edi Ramës është fenomen i shtrirë kudo në çdo segment të qeverisjes. Ai ka marrë tashmë tiparet e një modeli të përgjithshëm qeverisje që ka dëmtuar rëndë interesin publik.
Korrupsioni me kontratat publike në shëndetësi nuk është i izoluar vetëm tek koncesioni i sterilizimit. Ai shtrihet nga koncesioni i check-up, e deri tek kontratat sekrete për furnizimet në periudhën e pandemisë.
Duke përshëndetur SPAK dhe GJKKO për hapin e parë të hedhur sot për ndëshkimin e korrupsionit në shëndetësi, duhet të gjithë bashkë të nxisim SPAK të hetojë me guxim dhe përgjegjshmëri personat real përgjegjës për këto abuzime. Edi Rama, Ilir Beqaj dhe Ogerta Manastirliu duhet të hetohen e ndëshkohen për miliona euro abuzime e vjedhje në kurriz të shëndetit dhe jetës së qytetarëve.
Askush mbi ligjin duhet të marrë formë çdo ditë pak nga pak, derisa të shndërrohet në model të drejtësisë që presin dhe duan qytetarët.