Kryetari i Patisë Demokrtike, Lulzim Basha ka kërkuar ngritjen e Komisionit Hetimor për korrupsionin me fondet IPARD për fermerët, pasi BE pezulloi këto të fundit.
Në një postim në “Facebook”, Basha shkruan se qeveria e Edi Ramës ka ndërtuar një shtet të korruptuar dhe kjo po ndodh me fondet e Bashkimit Evropian për bujqësinë, pasi vendimi për t’i pezulluar tregon sipas tij abuzimet e bëra për të favorizuar klientët që ndërtojnë vila luksoze.
Kryedemokrati gjithashtu thekson se ky skandal ia ka nxirë faqen vendit përpara partnerëve evropianë dhe kjo pengon rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së.
Postimi i plotë:
Nuk është hera e parë që propagandës dhe retorikës shtinjake i del boja. Kur arritjet imagjinare ndeshen me faktet, duket qartë se e vetmja gjë që ka ndërtuar Edi Rama është një shtet i të korruptuarve.
Kështu ka ndodhur me mega-aferën e Inceneratorëve, kështu po ndodh me fondet e Bashkimit Europian për bujqësinë.
Vendimi i Brukselit për pezullimin e granteve të programit IPARD tregon makutërinë e kësaj qeverie, që abuzon edhe me fondet e BE-së, duke lënë në mëshirë të fatit fermerët e ndershëm të këtij vendi, për të favorizuar klientët e zakonshëm që me këto fonde ndërtojnë vila në komplekset luksoze të bregdetit.
Për këtë skandal që nxiu faqen e Shqipërisë përpara partnerëve europianë dhe që pengon rrugëtimin tonë drejt BE-së, Partia Demokratike do të kërkojë ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar për të zbardhur shpërdorimin e fondeve për bujqësinë dhe për të garantuar transparencën që qytetarët meritojnë.
Lufta e pakompromis ndaj korrupsionit dhe fundi i pandëshkueshmërisë në nivelet e larta të politikës janë prioritete të Partisë Demokratike, arritja e të cilave garanton ndryshimin që shqiptarët presin.