Kryetari i Partisë demokratike, Lulzim Basha ka komentuar sekuestrimin e inceneratorit të Tiranës nga SPAK ku shprehet se kjo është një aferë korruptive dhe opozita kërkon zbardhjen e plotë.
Në një postim në Facebook, Basha shkruan se kjo aferë është denoncuar edhe nga grupi bashkiak i PD pasi në këtë të fundit janë grabitur miliona euro nga xhepat e taksapaguesve shqiptar, dhe këto para sipas tij pastrohen përmes skemave të ndërtimit në Tiranë.
Postimi i plotë:
Inceneratorët dhe “Mali i Tiranës” janë dy faqe të së njëjtës monedhë!
Afera korruptive e Inceneratorëve, për zbardhjen e të cilës Partia Demokratike ka bërë një betejë të gjatë publike, tashmë e faktuar si e drejtë nga arrestimet dhe sekuestrimet e SPAK, dhe pastrimi i parave përmes ndërtimit të kullave me bilance të padeklaruara dhe të falsifikuara, siç është rasti i fundit në zemër të Tiranës i kallëzuar në SPAK nga grupi i këshilltarëve bashkiakë të PD, janë dy faqe të së njëjtës monedhë.
Me aferën e inceneratorëve janë grabitur miliona euro nga xhepat e taksapaguesve shqiptarë. Këto para të korrupsionit qeveritar në bashkëpunim me krimin e organizuar dhe krimin ekonomik më pas pastrohen nëpërmjet skemave të ndërtimit të kullave luksoze në mes të Tiranës.
Korrupsioni i’u vjedh qytetarëve të ardhmen, varfëron familjet shqiptare, vret konkurrencën e ndershme, pengon rritjen ekonomike, cënon demokracinë dhe besimin tek institucionet. Raportet ndërkombëtare evidentojnë qartë se korrupsioni në qeverinë Rama ka arritur nivelin e kapjes së shtetit, ku qeveritarët dhe klientela politike e përdorin shtetin për interesat e tyre private në dëm të qytetarëve.
Lufta pa kompromis kundër korrupsionit është emergjencë kombëtare, prandaj Partia Demokratike është e vendosur në mbështetjen tonë ndaj SPAK dhe e përkushtuar për miratimin dhe zbatimin e vetting-ut të politikanëve, sepse vetëm një politikë e pastër mund të sigurojë një ekonomi të fortë me mirëqenie dhe siguri për familjet shqiptare.