Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar takimin e radhës me strukturat drejtuese të qarkut të Gjirokastrës.
Në postimin e tij në Facebook, Basha shkruan se dosja e inceneratorëve është dëshmi se Edi Rama ka ndërtuar një shtet të korruptuar.
Kryedemokrati më tej shton se nevojitet Vettingu për të çliruar politikën dhe ekonominë.
Postimi i plotë:
Me strukturat drejtuese të Qarkut Gjirokastër nisëm punën për riorganizimin e forcimin e Partisë Demokratike. Pa humbur kohë duhet të jemi gati për përballjen me një pushtet që punon kundër interesave të qytetarëve.
Dosja e Inceneratorëve, si dhe rastet e mëparshme ku ministra, kryetarë bashkish e deputetë u arrestuan për korrupsion, apo u larguan nga politika për lidhjet me krimin – janë dëshmi se Edi Rama ka ndërtuar një shtet të të korruptuarve.
Nuk ka rrugë tjetër për Shqipërinë dhe shqiptarët përveç asaj që dikton pastrimi i politikës nga të gjithë ata që kanë shpërdoruar besimin e qytetarëve, duke i shërbyer interesave korruptive e klienteliste dhe lufta pa kompromis kundër korrupsionit. Paratë që sot shkojnë në xhepat e pushtetarëve dhe llogaritë e oligarkëve do t’i mundësonin çdo qeverie t’u krijojë kushte studentëve të mos largohen e fermerëve subvencione për bujqësinë.
Përballja pa kompromis me korrupsionin, pastrimi i politikës, dhënia fuqi qytetarëve të zgjedhin me votë përfaqësuesit e tyre në Parlament, vota e diasporës janë jetike në rrugën që kemi nisur për çlirimin e politikës dhe ekonomisë.