Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, ka reaguar në lidhje me postimin në Facebook të ministres së Bujqësisë, ku sipas tij ishte mahnitur me plantacionet me pjeshkë në fshatin Gjocaj në Peqin. Sula shprehet se merita u takon fermerëve, pasi qeveria nuk i ka mbështetur dhe i ka lënë në harresë.
Deputeti demokrat më tej shkruan se fermerët janë në pikë të hallit sepse për ta nuk ka para, ndërsa lekët e taksapaguesve shqiptarë i marrin pushtetarët në ministri e drejtori me korrupsion.
Postimi i plotë:
Qeveria ka futur thellë duart në xhepat e fermerëve.
Në rrjete sociale, pashë sot që Ministrja e Bujqësisë ishte mahnitur nga plantacionet me Pjeshkë në fshatin Gjocaj në Peqin. Për t’u mahnitur është në fakt. Por jo për ndonjë meritë të qeverisë, por falë punës së njerëzve të thjeshtë në Gjocaj, Shezë, Vashaj, Rrumbullak, Celhake, Selime, Bardhas, Asmashaj, Kurtaj, Sallbegaj dhe Blinas zona ka marrë namin e mirë për cilësinë pjeshkëve dhe nektarinave. Theksoj, kjo për shkak të punës së tyre, pasi nga qeveria janë harruar totalisht.
Më 6 qershor, në Sallën e Parlamentit i kërkova zonjës Ministre të Bujqësisë ti vinte në ndihmë fermerëve në këto fshatra pasi plantacionet që mahnitën znj. Ministre u dëmtuan nga breshëri i pazakontë dhe 70-80% e prodhimit të tyre shkoi dëm.
Thirrja ime por edhe e vetë fermerëve ra në veshin e shurdhët të kësaj qeverie.
Fermerët janë në pikë të hallit sepse për ta nuk ka para. Lekët e taksapaguesve shqiptarë i marrin pushtetarët në ministri e drejtori me korrupsion.
Për ta, ministrja e cila mahnitet nuk ka para sepse ato shkojnë për bosët e inceneratorëve që gjasme ndërtojnë serë te vendi ku trajtohen plehrat.
310 mijë euro nga taksat e qytetarëve evropianë i morën për ndertimin e nje sere plastmasi te inceneratori i Tiranes, ndersa per fermeret e ndershem në Gjocaj ka vetëm një postim në facebook.
Në fakt fermerët e fshatit Gjocaj jo vetëm që nuk janë ndihmuar, por qeveria u ka futur atyre dorën në xhep.
Heqja e përjashtimeve fiskale në sektorin e bujqësisë vitin e kaluar çoi në buxhetin e shtetit rreth 1, 7 miliardë (16 mln euro të ardhura shtesë).
Sipas të dhënave nga Ministria e Financave 0,9 miliardë lekë u arkëtuan nga eliminimi i skemës së kompensimit të prodhuesit bujqësor nga 6 % në 0%, ndërsa 0,8 miliardë lekë u arkëtuan nga rikthimi i TVSH në inputet bujqësore.
Bujqësia zë 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, por për bujqësinë jepen vetëm 35 milionë euro për subvencione. Sa 1/3 e Kosovës, shumë herë më pak se Maqedonia e Veriut. 100 milionë euro jep Kosova subvencione për vitin 2023, rreth 200 milionë jep Maqedonia e Veriut. Ndërsa Shqipëria jep shumë propagandë dhe vetëm 35 milionë euro subvencione.
Kështu dekurajohet puna e ndershme në Shqipëri dhe kështu nxitet shpopullimi i vendit.