Nga Jorida Tabaku:

 

Kush paguan?

 

Debati mbi kullën mbi 50 kate me kosto rreth 100 milion euro në qendër të Tiranës ka ngritur me të drejtë një pyetje kryesore se “kush paguan për të?”

 

Ndërtimet pa fre që kanë nisur të shpërndahen në Tiranë dhe Shqipëri ngrenë shqetësimin gjithnjë e më të qartë se milionat pas kompanive janë para që vijnë nga burime të dyshimta. Me pak fjalë paratë e korrupsionit apo paratë e grupeve kriminale pastrohen në këto lavatriçe të mëdha duke i dhuruar vendit më shumë beton dhe çfarë është më e keqja duke i injektuar ekonomisë një rritje fiktive.

 

Duke pasur parasysh këtë, në kuvendin e Shqipërisë dorëzova një propozim ligjor për ndryshime në Ligjin e Zhvillimit të Territorit ashtu që kompanitë që aplikojnë për leje ndërtimi të ofrojnë më shumë transparencë për burimet e tyre.

 

Imagjinoni pak sikur leje dhënësit dhe leje marrësit e kullës 50 kate me vlerë 100 milionë euro do të kishin bërë transparente vlerën e investimit për bashkinë, qeverinë qendrore apo dhe publikun? Shumëkush do të kishte kuptuar se si do të mund të financohet ajo kullë. E ky debat filozofik se kush e do më shumë këtë vend të bekuar nuk do të kish ndodhur. Transparenca në fakt është ilaçi më i mirë; askush nuk ka vdekur nga informacioni; se jo të gjithë falë Zotit mendojnë njësoj si për zhvillimin ashtu dhe për qytetin; po të gjithë biem dakort se kur bëhet fjalë për të ardhmen e fëmijëve sigurisht të gjithë për atë mendojmë më të mirën.

Por fatkeqesisht ky propozim ligjor i imi në emër të PD u refuzua me justifikime të sforcuara nga mazhoranca.

Këto ditë, bëhet dhe më e qartë arsyeja e këtij refuzimi. Kuptohet ortakët e një tranzicioni të tillë që nuk ofron as mundësi dhe as zhvillim ekonomik për vendin nuk kanë dëshirë të investojnë tek transparenca.

Fatkeqësisht ndonëse transparenca e plotë mungon për financuesit e këtyre kullave faturën për to e paguajnë shqiptarët. Deri më tani ata kanë paguar faturën e korrupsionit, pastrimit të parave, një ekonomie të monopolizuar nga oligarkia dhe së fundi edhe faturën e një qyteti të pajetueshëm.

E kjo prek te majtë e të djathtë; prandaj turravrapet për të folur e reagur kanë rezultuar të drejta e koha na ka dhënë të drejtë; se e vërteta nuk qëndron vec nga njëra anë!

 

P.s video nga votimi për ndryshimet e propozuara në ligjin për ndërtimet dhe lejet e ndërtimit. Një projektligj o rrëzuar në 13 korrik me votat e shumicës socialiste. Nëse do kishim këtë ligj funksional sot shumëkush do dinte kush paguan r kullat!