Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar në lidhje me sekuestrimin e bimëve narkotike në territorin e repartit ushtarak në Zall Herr.
Bardhi ka publikuar një video në komisionin parlamentar një vit më parë, ku ka deklaruar se ka prona të ushtrisë që mbillet hashash.
Deputeti demokrat shprehet se ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi duhet të japë dorëheqjen, sepse ai e dinte që në repartet ushtarake mbillej drogë.
Reagimi i plotë:
Një vit më parë, në parlament u diskutuan disa ndryshime në ligjin për Policinë Ushtarake. Ishin ditët, kur autoritetet hollandeze zbuluan përfshirjen e një majori të ushtrisë shqiptare në ndërtimin e një shtëpie hashashi në Hollandë, ndërkohë që ishte aty me mision në kuadër të NATO-s.
Në fjalën time në Komisionin e Ligjeve, e përmenda këtë rast për të kuptuar si i kishin kryer detyrat Policia Ushtarake dhe Shërbimi Informativ i Ushtrisë, pasi ky nuk ishte një rast i izoluar. Nuk prisja të merrja përgjigje as nga përfaqësuesi i ushtrisë, as nga përfaqësuesja e qeverisë. Ata ekzistojnë vetëm për të mbuluar gjurmët e krimit të organizuar që ka depërtuar tani edhe në ushtrinë e vendit anëtar të NATO-s. E di që kjo është një akuzë e rëndë, por faktet janë kokëforta.
Një vit më parë, kam deklaruar me zë të lartë se rasti i oficerit të lartë shqiotar në Hollandë nuk është i izoluar, pasi në repartet ushtarake mbillet kanabis për llogari të organizatave kriminale . Deputetët e dëgjuan. Qeveria e dëgjoi. Ushtria e dëgjoi. Shërbimi Informativ i Ushtrisë dhe Shërbimi Informativ Shtetëror e dëgjoi. Cili ishte reagimi? Zero! U fshehën pas frazës së preferuar të kryeministrit “përgjegjësia është personale”. Që në fakt, është një thirrje nxitëse “bravo çuna, jepini derisa t’ju kapin”!
Dita erdhi që t’i kapin, sërish, partnerët e NATO-s, se po të ishte për Edi Ramën apo Niko Peleshin, kanabisi do të mbillej edhe në taracën e Kuvendit të Shqipërisë dhe të Kryeministrisë. Sot është dita që Niko Peleshi të japë dorëheqjen, sepse ai e dinte që në repartet ushtarake mbillej drogë. Ia thamë ne në parlament, siç thamë disa vite më parë se nga repartet ushtarake ngriheshin avionë që transportinin drogë. Edhe atëherë rezultoi e vërtetë! Zoti Ministër i Mbrojtjes, përgjegjësia është personale e juaja! Jep dorëheqjen!