Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka shorehur ngushëllime për shkrimtarin dhe përkthyesin Ahmet Bushati, i cili u nda nga jeta ditën e djeshme.
Me anë të një statusi në Facebook, Basha shprehet se Ahmet Bushati ishte edhe një hero i qëndresës antikomuniste pasi u përball me dhunën e egër e gjakatare të diktaturës, me hetuesit dhe burgjet e saj, duke mos çeduar aspak ndaj frikës dhe torturave.
Kreu i PD më tej thotë se me largimin e tij nga kjo jetë, Shkodra dhe mbarë vendi humbën një fisnik dhe intelektual të rrallë, një simbol të vërtetë të vlerave demokratike.
Postimi i plotë:
Dje u nda nga kjo jetë Ahmet Bushati, një hero i qëndresës antikomuniste, shkrimtar, përkthyes e veprimtar politik.
Si një ndër të rinjtë e brezit të tij që sfidoi me kurajo që në ditët e para, regjimin e sapo instaluar komunist, Ahmet Bushati u përball me dhunën e egër e gjakatare të diktaturës, me hetuesit dhe burgjet e saj, duke mos çeduar aspak ndaj frikës dhe torturave. Si njeriu i idealeve zgjodhi qëndresën dhe sakrificën përballë të keqes. Libri i tij i çmueshëm “Në gjurmët e një ditari” është një afresk i rrëqethës i kalvarit të vuajtjeve të Shkodrës nën thundrën e diktaturës.
Ahmet Bushati u angazhua që në fillim me Partinë Demokratike, si i pari kryetar i Këshillit Bashkiak të qytetit dalë nga zgjedhjet e korrikut të vitit 1992. Me largimin e tij nga kjo jetë, Shkodra dhe mbarë vendi humbën një fisnik dhe intelektual të rrallë, një simbol të vërtetë të vlerave demokratike.
U prehtë në paqe!