Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar pas mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste.
Në një postim në Facebook, Basha është shprehur se qeveria e kryeministrit Edi Rama, e damkosur nga SPAK, nuk i shpëton dot drejtësisë me tubime partiake.
Kryedemokrati tha se ata i bën bashkë vetëm frika e ndëshkimit prej zullumeve që kanë bërë në kurriz të shqiptarëve, ndërkohë që i bëri thirrje drejtësisë të vijojë përpara me hetimin e aferave korruptive.
Posti i plotë:
Qeveria e damkosur nga SPAK për aferën e inceneratorëve nuk i shpëton dot drejtësisë me tubime partiake ku bashkë i bën vetëm frika e ndëshkimit prej zullumeve që kanë bërë në kurriz të shqiptarëve.
Drejtësia duhet të vijojë punën e saj për hetimin e aferës së inceneratorëve, sterilizimit dhe çdo denoncimi për korrupsionin shtetëror në çdo hallkë. E pandikuar nga presioni qeveritar apo politik i kujtdo qoftë. Kjo është mënyra e vetme për të vënë para drejtësisë abuzuesit me pasuritë e shqiptarëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre që e kanë lënë Shqipërinë peng të Edi Ramës.