Në Njësinë Administrative 6 në Tiranë, kryetari i PD, Lulzim Basha u ndal në një fabrikë sfungjeri në zonën e ish-kombinatit të drurit, ku bisedoi me punonjësit dhe drejtuesit e kësaj sipërmarrje. Sipas Bashës kriza që ka përfshirë biznesin e për pasojë edhe punëmarrësit vjen si pasojë e çmimeve dhe taksave të larta. “Reduktimi i taksave, përmirësimi i klimës së biznesit, ulja e çmimit të energjisë dhe karburantit dhe marrja e masave për të mbrojtur eksportet, janë zgjidhja e vetme në këtë situatë”, – tha Basha.
Statusi i plotë:
Pata kënaqësinë të takohem dhe të bisedoj me drejtues dhe punonjës të fabrikës së sfungjerit në ish-kombinatin e Drurit Misto Mame.
Rritja e çmimeve dhe taksat e larta kanë prekur si sipërmarrësit ashtu edhe punonjësit. Me rrogat e tyre bëhet gjithnjë dhe më e vështirë për të përballuar nevojat e përditshme.
Reduktimi i taksave, përmirësimi i klimës së biznesit, ulja e çmimit të energjisë dhe karburantit dhe marrja e masave për të mbrojtur eksportet nga kërcenimet siç ishte dhe zhvlerësimi fiktiv i Euros janë jetike për t’i krijuar frymëmarrje biznesit në përgjithësi, dhe atij fason në veçanti.
Mbështetja për këto kompani, përmes uljes së taksave, që t’ju japë atyre mundësinë të rrisin pagat por edhe subvencionimi për punonjësit e rinj, është një kontribut për shtimin e të punësuarve dhe krijimin e kushteve për një jetë më të mirë për shumë familje, që sot nuk plotësojnë as nevojat jetike.
#nëshërbimintuaj #partiademokratike