Deputetja e Partisë Demokratike, Merita Bakiu, ka reaguar për vizitën e kryeministrit Edi Rama në qytetin e Krujës. Bakiu shprehet se edhe sot 4 vite pas tërmetit të frikshëm të 26 nëntorit , banorët e Krujës ende nuk kanë një çati mbi kokë.
Ajo shprehet se rindërtimi i banesave në disa lagje nuk ka filluar ende dhe në disa lagje nuk dihet se kur do të mbarojë.
Deputetja demokrate gjithashtu thotë se Kruja, kryeqendra historike e Shqipërisë, është sot një qytet pa jetë, pa institucione, pa gjykatë e prokurori.
Reagimi i plotë:
Edi Rama ishte sot në Krujë për të artikuluar me zë dhe figurë gënjeshtrën e radhës.
Por ai harron që krutanët nuk harrojnë aq shpejt sa ai. Edhe sot 4 vite pas tërmetit të frikshëm të 26 nëntorit, banorët e Krujës ende nuk kanë një çati mbi kokë. Rindërtimi i banesave në disa lagje nuk ka filluar ende dhe në disa lagje nuk dihet se kur do të mbarojë.
Për më tepër disa familje prej 5 muajsh nuk trajtohen as me bonus qirajeje sikur është premtuar dhe propaganduar çdo ditë nga qeveria, duke u mohuar atyre një të drejtë legjitime dhe morale.
Kruja, kryeqendra historike e Shqipërisë, është sot një qytet pa jetë, pa institucione, pa gjykatë e prokurori… ndërsa të vetmit që i japin gjallëri qytetit dhe jetë dimensionit të tij historiko-kulturor janë bizneset e vogla në turizëm a shitje që megjithëse nuk e kanë njohur kurrë mbështetjen e pushtetit, ia dalin (me vështirësi) të mbijetojnë.
Kruja nuk ju do Edi Rama!
Krutanët nuk mund t’i gënjesh dhe pastaj të bësh sikur valëvit flamurin e së vërtetës!
Kruja nuk harron!