Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të ish-presidentit të Finlandës, Martti Ahtisaari, i cili ishte një prej arkitektëve të pavarësisë së Kosovës.
Me anë të një postimi në Facebook, Basha shkruan se Ahtisaari është një mik i çmuar i kombit tonë, pasi udhëhoqi me kontributin e tij të jashtëzakonshëm rrugëtimin e pandalshëm drejt 17 Shkurtit 2008, duke realizuar ëndrrën shekullore për liri.
Postimi i plotë i kreut të PD, Lulzim Basha:
Mësova me trishtim ndarjen nga jeta të ish-presidentit të Finlandës, Martti Ahtisaari, njeriun e paqes dhe, si i dërguar i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për Kosovën, një prej arkitektëve të pavarësisë së Kosovës. Mik i çmuar i kombit tonë, Ahtisaari udhëhoqi me kontributin e tij të jashtëzakonshëm rrugëtimin e pandalshëm drejt 17 Shkurtit 2008, duke realizuar ëndrrën shekullore për liri.
Shqiptarët nuk do ta harrojnë kurrë rolin e tij historik.
Në këtë ditë të trishtë të ndarjes nga jeta të Martti Ahtisaari, ne nderojmë me respekt dhe mirënjohje figurën e tij, duke i shprehur ngushëllimet familjes, miqve, bashkëpunëtorëve të tij dhe popullit të Finlandës. U prehtë në paqe!