Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Gazment Koduzi, ka komentuar raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit ku shprehet se qeveria ka dështuar në menaxhimin e situatës së pandemisë COVID-19.

Në një deklaratë për mediat, Koduzi shprehet se evidentimet e KLSH nuk janë gjë tjetër veçse ato që Partia Demokratike rekomandoi për zgjidhjen e situatës.

 

DEKLARATA E ANËTARIT TË KRYESISË SË PARTISË DEMOKRATIKE, GAZMENT KODUZI

 

Dështimi i menaxhimit të covid nga qeveria Rama

Së fundmi Kontrolli i Lartë i Shtetit ka publikuar raportin “Efektiviteti i menaxhimit të situatës pandemike Covid-19” në të cilin kanë dalë në dritë nga ky institucioni i pavaruar, dështimi nga ana e qeverisë në menaxhimin e situatës gjatë pandemisë covid-19.

Ky raport tregoi se:

1-            Kapacitetet spitalore ishin të pamjaftueshme për trajtimin e pacientëve me covid;

2-            Funksionim joeficient i qendrave shëndetesore, mjekët e familjes u angazhuan shumë vonesë, kur rastet e diagnostikuara u rritën dhe urgjenca nuk i përballonte ;

3-            Kapacitete profesionale të pamjaftueshme;

4-            Fonde financiare të pamjaftueshme;

5-            Mbulim jo i plotë i shërbimeve shëndetësore si dhe mungesa e ofrimit më rimbursim të vizitave dhe mjekimeve nga institucionet jo-publike;

6-            Rimbursim i ulët i mjekimit. Shpenzimet nga xhepi ishin të larta si nga personat e siguruar dhe ata të pasiguruar;

7-            Mangesi ne materialet e mbrojtjes personale;

8-            Pasiguri në vendin e punës (humbje jete nga personeli mjeksor);

9-            Mungese te trainimit te personelit mjeksor .

 

I sjellim në vëmendje qytetarëve, që Partia Demokratike nisur nga e mira publike, dhe në mbrojte të shëndetit të popullatës, në Tetor 2020 ka bërë këto propozime:

             Të rriten kapacitetet testuese minimalisht me 5 herë, të cilat të jenë mbi 2500 testime në ditë, që të arrihet një pozitivitet i rasteve në 5-10% të testimeve ( nga 30% që është aktualisht, pra në tetor të 2020-ës);

             Të bëhet decentralizimi i analizave covid duke ngritur laboratorë në spitalet rajonale me pajisjet e nevojshme diagnostikuse;

             Fuqizimi i mjekut të familjes si pika e parë e kontaktit me pacientin, pajisja e tij me masa mbrojtëse, mjete pune si dhe protokolle mjekimi për trajtimin dhe monitorimin e pacientëve ambulatorë;

             Të përgatitet paketa e rimbursimit për marrjen e mjekimit ambulator (pra recetë me rimbursim) dhe oksigjeno terapinë, si dhe rimbursim për procedurat diagnostikuese të kryera në institucionet private për pacientët që janë covid pozitiv.

             Përgatitja dhe përkujdesja nga spitalet rajonalë për pacientët, duke investuar në pajisjet laboratorike, diagnostikuese dhe trajtuese;

             Personeli mjeksor duhet të testohet sipas një protokolli me qëllim krijimin e institucioneve shëndetësore të sigurta me zero infektim nga covid;

             Alokimi dhe bërja transparente e buxhetit të posacëm për covid-19 në shëndetësi, me qëllim përballimin e kostos së kujdesit shëndetësor, investimeve të nevojshem dhe blerjen e barnave.

Përfundimi i nxjerrë nga KLSh ka treguar se qeveria nuk ka patur në fokusin e saj shëndetin e popullatës, por interesin e klientëve të saj, duke harxhuar më shumë fonde për koncesionet korruptive, ku së fundi drejtësia ka kryer hetime e ka bërë përgjegjës zyrtarë të lartë, për koncesionin e sterilizimit, dhe presim që të merret edhe me koncesionet e tjera dhe kokën e tyre.

Evidentimet e KLSH nuk janë gjë tjetër veçse ato që Partia Demokratike rekomandoi për zgjidhjen e situatës.

Si parti për qytetarët dhe në shërbim të tyre, Partia Demokratike ofron më programin e saj reformim të sistemit shëndetësor, duke vendosur në qendër pacientin, i cili vendos se ku do të vizitohet, pavarësisht nëse është ofrues publik apo privat, dhe ku do të shkojnë paratë, përmes skemës së sigurimeve shëndetësore, publike apo private.

Partia Demokratike është e vendosur të rikthejë dinjitetin e qytetarëve dhe punonjësve të sistemit shëndetësor, duke filluar me dëgjimin e zërit të studentëve të mjeksisë, dhe krijimin e kushteve që të jetojnë me dinjitet në vendin e tyre.

 

Faleminderit