Pas takimit që pati me Zëdhënësin e Çështjeve Europiane të Grupit Parlamentar CDU/CSU në Bundestag dhe anëtarin e Asamblesë Politike të Partisë Popullore Europiane, Gunther Krichbaum, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, shpreh mirënjohje për kontributin e CDU-së në rrugëtimin europian të Shqipërisë.

Në postimin e tij në Facebook, Basha shkruan se Integrimi Europian i Shqipërisë, lufta kundër korrupsionit, garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe krijimi i mundësive për të rinjtë janë prioritete të PD, dhe për këtë ka kërkuar ndihmën dhe mbështetjen e miqve nga CDU.

Postimi i plotë:

I nderuar të prisja sot në selinë e Partia Demokratike e Shqipërisë një mik të çmuar të Shqipërisë dhe PD, z. Gunther Krichbaum, Zëdhënësin e Çështjeve Europiane të Grupit Parlamentar CDU/CSU në Bundestag dhe anëtar i Asamblesë Politike të Partisë Popullore Europiane.

Unë dhe Partia Demokratike i jemi mirënjohës për kontributin e CDU-së në rrugëtimin europian të Shqipërisë, në të cilin z. Krichbaum ka patur një rol të veçantë.

Integrimi Europian i Shqipërisë, lufta kundër korrupsionit, garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe krijimi i mundësive për të rinjtë që të ndërtojnë jetën e tyre në Shqipëri janë prioritete të Partisë Demokratike, dhe për këtë kam kërkuar ndihmën dhe mbështetjen e miqve nga CDU.

Për mua dhe Partinë Demokratike lufta kundër korrupsionit është jetike për ecjen përpara dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë dhe për të çuar para drejtësisë ata që kanë abuzuar me paratë dhe besimin e qytetarëve, Partia Demokratike mbështet institucionet e drejtësisë dhe inkurajon SPAK të vijojë me vendosmëri punën e saj.

E njoha z. Krichbaum me iniciativën e Partisë Demokratike për vetting-un e politikanëve, proces i cili synon të pastrojë politikën duke bërë transparencë mbi ligjshmërinë e pasurisë dhe pastërtinë e figurës në raport me lidhjet me krimin e organizuar të politikanëve. Diskutuam edhe mbi hapat e domosdoshëm për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme si propozimet për t’i dhënë fuqi votës së qytetarëve me listat e hapuara, që do ti mundësojnë zgjedhësve të zgjedhin vetë deputetin që do t’i përfaqësojë, votimin dhe numërimin elektronik, votën e diasporës dhe rritjen e masave ndëshkuese për përdorimin e administratës dhe fondeve publike për qëllime elektorale.

Angazhimi i të rinjve në politikë është prioritet kryesor i PD. Brenda marsit të ardhshëm, Partia Demokratike do të ketë përfunduar përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë dhe do të nisë prezantimin e programit tonë, me propozime dhe objektiva që do ta ndryshojnë Shqipërinë dhe përshpejtojnë futjen e saj në BE.