DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE TË SHQIPËRISË, DEPUTETJA MERITA BAKIU
Të nderuar qytetarë, dje u kalua për 5 minuta buxheti i vitit 2024. Ky buxhet nuk është gjë tjetër vetëm një buxhet dhe paketë fiskale që nuk mbështet ekonominë reale. Nuk mbështet sipërmarrësin dhe profesionistin e lirë, arsimin, shëndetësinë, bujqësinë, turizmin, pensionitët, shtresat në nevojë, ish të përndjekurit, rininë. Ky buxhet mbështet vetëm oligarkët.
Partia Demokratike ka paraqitur 8 amendamente të cilat synojnë që ky buxhet të kthehet në shërbim shqiptarëve. Personalisht, si anëtare e Komisionit për Arsimin, kam depozituar një amendament që kërkon rritjen e fondeve për arsimin.
AMENDAMENT
PËR DISA NDRYSHIME NË PROJEKTLIGJIN “PËR BUXHETIN E VITIT 2024”
Në mbështetje të nenit 75, pika 4 të Regullores së Kuvendit të Shqipërisë, deputetja z. Merita Bakiu propozon,
Në projektligjin “Për Buxhetin e Vitit 2024”, të bëhet ndryshimi, si më poshtë vijon:
Neni 1
Në projektbuxhet tabela 1, totali i buxhetit të planifikuar në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë është në vlerën 52223 milion lekë, të bëhet në vlerën 104444 milion lekë.
Neni 2
Ky ndryshim pasqyrohet në të gjitha nenet, tabelat dhe anekset shoqëruese të ligjit.
RELACION
PËR AMENDAMENTIN
Arsimi është një nga sektorët më të rëndësishëm. Rritja e financimit të ketij sektori është jetik. Prej vitesh arsimi ka qenë i nënfinancuar krahasuar me nevojat reale. Me qëllim rritjen e cilësisë së mësimdhënies në të gjitha nivelet, rritjen e investimeve në infrastrukturë (shkolla e kopshte), rritjen e konsiderueshme të pagave të stafeve akademike, rritjen e financimit të studentëve për të përballuar efektet e rritjes së çmimeve, propozojmë rritjen e buxhetit deri në masën 5% të GDP-së për Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.
Efekti financiar në Buxhetin e Shtetit do të përballohet nga ulja në të njëjtën masë e shpenzimeve operative të qeverisë, investimeve jo prioritare, kontratave koncesionare/PPP dhe shpenzime rikonstruksion zyrash dhe mobilim.