Kryetari i PD, Lulzim Basha, vizitoi familjen e Maliq Koshenës një nga pjesëmarrësit më aktiv në Luftën e Dukatit, 80 vjet më parë.
Me 1 dhjetor 1943, komunistët sulmuar Dukatin. Luftimet vijuan për afro 24 orë e lanë pas shumë viktima. Prej asaj ngjarje, që sot njihet si Lufta e Dukatit, Maliq Koshena u arrestua më 28 janar 1945 nga forcat e regjimit komunist dhe u dënua me 20 vjet burg. Më 25 nëntor 1949, u dënua me pushkatim.
Eshtrat nuk dihet ku i ka, ndërsa familja vuajti persekutimin e egër komunist.
Në bashkëbisedim me familjarët e Maliq Koshenës, Basha nënvizoi domosdoshmërinë e krijimit të instrumenteve dhe fondeve të posaçme për gjetjen e trupave të njerëzve të pushkatuar, që regjimi ogurzi komunist i la pa varre.
“Historia jonë meriton të njihet dhe ata që kanë vuajtur torturat çnjerëzorë meritojnë çdo kontribut për të pasur një shoqëri të vetëdijshme si parakusht për suksesin dhe mos përsëritjen e së kaluarës. Ne duhet të dënojmë të gjitha simbolet e komunizmit në Shqipëri dhe të fusim në sistemin arsimor edukim të veçantë për këtë periudhë të errët të historisë tonë. Harresa nuk mund të jetë rruga se si ne do të ndërtojmë një vend më të mirë, aq më pak deformimi i të shkuarës por kujtesa e asaj çfarë ka ndodhur. Por ne jemi borxhlinj ndaj atyre që luftuan dhe sakrifikuan gjithçka për lirinë edhe në ditët më të errëta të kombit tonë”, – theksoi zoti Basha.