Pyetje: Përgjatë kësaj kohe, kanë ndodhur shumë gjëra brenda opozitës. Akti i fundit që shënoi një goditje për opozitën, ishte arrestimi i ish-kryeministrit Sali Berisha. Unë ju pyeta në fakt edhe disa ditë më parë dhe më premtuat përgjigje për ditën e sotme. Prandaj do të doja një reagim nga ana juaj zoti Basha. Cili është reagimi juaj lidhur me arrestimin e ish-kryeministrit Sali Berisha?

 

Lulzim Basha: Kam dy reagime, njëri është në rafshin personal, tjetri është në rafshin politik, zyrtar. Në rafshin personal, natyrisht nuk më vjen mirë, më vjen shumë keq që një njeri me të cilin kam bashkëpunuar për një kohë të gjatë, i cili padiskutim ka dhënë kontributet e veta për vendin, të përfundojë këtu. Çfarë kam pasur për t’i thënë ja kam thënë dhe besoj e dini sepse dhe ai e ka thënë publikisht një pjesë të këtij komunikimi që kishte të bënte pikërisht me hapat që duheshin hedhur për të mos ardhur deri këtu. Por në fund secili bën zgjedhjen e tij në jetë dhe duhet të përballet, duhet të marrë përgjegjësitë për zgjedhjem që ka bërë. Kjo është njëra anë e kostos që sjellja e tij i solli të gjithëve. Kjo është kosto që ka marrë personalisht, kosto që i dhënë familjes së tij, por padiskutim i ka dhënë një kosto të padiskutueshme Partisë Demokratike dhe vendit. Në rafshin personal nuk kam asgjë tjetër përveçse keqardhje të thellë që kjo të përfundojë kështu. Nga ana tjetër është e dosmosdoshme që Partia Demokratike dhe opozita të ecin përpara, ta lënë të shkuarën pas dhe të ecin përpara. Jo të shkelin mbi të shkuarën, as të mohojnë, as të ndryshojnë, as gjërat e mira as gjërat e këqija, por të ecim përpara. Dhe përgjigjja zyrtare është që në çdo rast, absolutisht në çdo rast qëndrimi i Partisë Demokratike është që drejtësia duhet të bëjë punën e saj e papenguar dhe çdokush, duke filluar nga unë i pari dhe çdo politikan duhet të jemi në dispozicion të drejtësisë pa asnjë kufizim. Dhe për këtë arsye kam çuar në parlament edhe propozimin për heqjen përfundimtare të imunitetit në mënyrë që qytetarët shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit. Sot kemi qytetarë të barabartë para ligjit dhe 140 deputetë që nuk janë të barabartë para ligjit. Dhe si rezultat kemi fenomene si Arben Ahmetaj. U deshën 2 javë procedura për të hequr imunitetin, kohë e mjaftueshme për t’u arratisur. Kjo duhet të marrë fund. Propozimi që kam dërguar në parlament është një propozim solid më një përvojë të vendeve të tjera, ku natyrisht kërkohet dhe vullneti i vet deputetëve. Dhe unë sot dua konfirmojë në emër të Partisë Demokratike vullnetin tim dhe të deputetëve të Partisë Demokratike për heqje dorë vullnetare nga imuniteti, pra sipas propozimit që kam dërguar aty, çka i komunikohet pastaj edhe SPAK-ut, bëhet fjalë për të gjitha fazat që trajton SPAK-u, korrupsionin, krimin e organizuar dhe të gjitha fazat e tjera.