REAGIM I SEKRETARIT PËR ÇËSHTJET LIGJORE NË PD, INDRIT SEFA

 

Dëshpërimi i Foltores arrin në nivelet e absurdit. Duke u përpjekur të mbahen si i mbyturi mbas fijes së barit, Rithemelimi mendon se vendimet gjyqësore i jep KPK dhe jo Gjykata e Lartë. Dikush duhet t’ua shpjegojë Rithemelimit se vendimi i KPK, jo vetëm qe nuk është përfundimtar, por nuk mund dhe nuk ka se si të zgjidhë mosmarreveshjet gjyqësore. Është Gjykata e Apelit dhe Gjykata e Lartë që i zgjidh këto çështje. E meqë ra fjala, pikërisht Gjykata e Lartë me vendimin e datës 27.12.23, legjitimoi perfundimisht Partinë Demokratike si palë ankuese në procesin gjyqësor, duke i dhënë zgjidhje përfundimtare këtij pretendimi dhe duke legjitimuar përfundimisht, jo vetëm vendimin e marrë nga gjyqtarja Blerina Muça, por edhe nga Gjykata e Apelit. Madje, duke e detyruar këtë të fundit t’i japë përgjigje të gjitha çështjeve të ngritura në ankimin e paraqitur nga ana e Partisë Demokratike.

 

Komisionit i Rithemelimit, i cili sot pretendon “mosrespektim të procedurës nga ana e Gjykatës që ka legjitimuar Partinë Demokratike si palë”,  ka kërkuar vetë në të njëjtën formë që të jetë pjesë e gjykimit të zhvilluar nga gjyqtar, Niko Rrapi, kërkesë e cila iu pranua nga ky gjyqtar.

 

Rithemelimit i ka mbetur ora tek motoja “bëni si them unë dhe mos bëni si bëj unë ”. Standardi i shumëfishtë i perdorur nga Rithemelimi nuk është risi, por shenjë e një dëshpërimi të thellë që i ka kapluar tash e sa kohë. Standard i shumëfishtë përdoret edhe me besimin që Rithemelimi ka tek organet e drejtësisë dhe të vetingut. Sot tundin vendimin jopërfundimtar të KPK, dje i etiketonin të gjitha organet e drejtësisë si të kapura politikisht nga Rama. Me logjikën e tyre, i bie që Rithemelimi po mbeshtetet tek Rama!

 

Partia Demokratike i kërkon Gjykatës së Lartë që në një kohë sa më të shkurtër të zbardhë vendimin dhe ti japë mundësi Gjykatës së Apelit të shqyrtojë sa më shpejtë këtë çështje dhe ti japë zgjidhje përfundimtare.