FJALA E PREÇ ZOGAJ NË 33 VJETORIN E RD

 

 

Në tridhjetë e tre vjetorin e lindjes së  gazetes së parë opzitare, “Rilindja demokratike”

 

“Të panjohurat” që nuk ishin të tilla kur ndodhen

Preç Zogaj *

 

Si sot tridhjetë e tre vjet , jo në mbrëmje, por në të zbardhur, Tiranës iu shtua një radhë e re, edhe më e gjatë  se  radhët proverbiale të dyqaneve të qumeshtit dhe ushqimeve me rracion të asaj kohe.

Një radhë para librarive për të blerë gazetën “Rilindjen Demokratike”, e para antirregjim pas rreth gjysëm shekulli totalitarizëm absolut në vendin tonë.

Numri i parë u shtyp në shtatëdhjetëmijë kopje.

Numri i dytë në njëqind mijë kopjes.

Në vijim, po të kishte kapacitete  teknike  të mjaftueshme, RD  mund të shtypej pa  frikë në gjysem milioni kopje  dhe do të shitej e gjitha.

Pas kaq vitesh, ndoshta nuk ka mbetur për t’u treguar diçka tjetër me esenciale se tirazhi shumë i madh.

Por duke pas qënë   i ngarkuar nga  Komisioni Nismetar demokrat i 13 dhjetorit 1990 për krijimin e gazetës së parë opozitare, më lejoni të ndaj me ju në këtë tridhjetë e tre vjetor, dy- tre “të panjohura”.

Që nuk kanë qenë të panjohura kur kanë ndodhur, por janë bërë  të tilla me vonë, nga menyra si është treguar historia e krijimit të RD-së nga njerëz që për lloj lloj arsyesh, objektive a subjektive, nuk kanë marrë pjesë në krijimin e saj dhe as mund të qortohen, as mund të lëvdohen për këtë.

E para, ndryshe nga përfytyrimet e investuara  nga “dëshmitarët” postfaktum, demokratë të orës 25 disa syresh apo bolshevikë  malinj  disa të  tjerë, nuk ka patur në atë dimër të themelimit të RD-së një luftë bërrylash apo një korridë që kush e kush t’i dilte zot më parë asaj pune, kush e kush të merrte timonin, kush e kush të përfshihej ,  kush e kush të shkruante e të botonte para tjetrit në  faqet e gazetës…

Jo. Ky përfytyrim është i gabuar. Ka patur mbështetje dhe mbështetës të shumtë gjithandej,  por pak  individë që pranonin  apo ofroheshim për t’i dalë zot  me emër dhe mbiemër asaj aventure. Ndodh  pothuajse  gjithmonë kështu në  ditët e para të  përmbysjeve apo ngjarjeve të mëdha.  Dhe unë e them këtë  për të  nderuar të vertetën, pa asnjë qëllim tjetër. Ju ftoj të kujtojmë  me respekt ata që u angazhuan të parët, emrat e të cilëve janë shkruar në numrat e parë të  gazetës: gazetarë me përvojë, të dënuar  nga regjimi i mëparshëm si “kritizerë”, do të thotë si kritikë, si Frrok Çupi , kryeredaktori i parë  dhe  Mitro Çela; studentë të talentuar të lëvizjes së dhjetorit si  Blendi Fevziu,  Ben Blushi e Amand Shkullaku, shkrimtarë dhe intelektualë të njohur për pikpamjet dhe qëndrimet e tyre demokratike para se të vinte ora e ndryshimeve, si Rudolf Marku, Besnik Mustafaj, Aurel Plasari, Neshat Tozaj, Abdi Baleta, Petraq Kolevica, Ilirian Zhupa, Kujtim Çashku, Elsa Ballauri, Natasha Lako, Teodor Keko, Edi  Rama, Shpetim Nazarko, Edi Hila, Agim Isaku, Bujar Xhaferri, Visar Zhiti, Vera Isaku, e tjerë; intelektualë që ndërkohë  kishin themeluar e po ndërtonin Partinë Demokratike, Sali Berisha, Gramoz  Pashko, Azem  Hajdari, Arben Imami,  Aleksandër Meksi, Genc Rruli, Rexhep Uka e mbështetës të tjerë të PD-së së sapoformuar.

E dyta,nuk kapatur shpërblime, përfitime, premtime. Përkundrazi, ka patur vetëm idealizëm, vetëm përkushtim, kurajo, punë falas, pa rroga, pa honorare, pa asnjë lloj asistencë  nga  Perendimi për  shumë muaj, të vetëm me aq sa dinim, me aq sa mundnim, me rreziqet nepër këmbë e rreth e rrotull që të gjithë i kishin marrë parasysh,ndersa ngjarjet zbuloheshin duke ndodhur, pra nuk dihej si do të shkonte, siç e dimë pasi ngjarjet kanë ndodhur apo siç e dimë në një film që mund ta rishohim nga fundi.

 

E treta, përveç penegsave të llojllojshme, ne u ndeshëm me një vështirësi specifike që ishte ajo e krijimit një gazete tregu,  e huaj për planifikimin  socialist të kohës ku tirazhi përcaktohej në bazë të abonimeve dhe vazhdimësia e daljes së gazetave  bashkë me rrogat dhe honoraret  garantohej nga shteti.  “RD” nuk mund të ishte pjesë e këtij sistemi. Në elementët bazë ajo u nis si gazetë e  tregut të lirë. Ajo shënon lindjen e shtypit të lirë dhe mund të themi  edhe të tregut të lirë në Shqipëri.

 

Së  fundi, doja të thosha se RD lindi e madhe dhe mbeti e madhe për shumë muaj sepse ishte e para, sepse ishte  e hapur, sepse nuk ishte strikte partiake siç kishte qenë tradita e shtypit të regjimit. Ne patën  përcaktuar e gjetur me partinë në ato fillime një raport që do ta quaja reformist në përspektivën që pati shtypi partiak në  Europë dhe në vendet ish komuniste në epokën e demokracisë. Ky raport për fat të keq nuk vazhdoi dhe gazeta që lindi e madhe, u partitizua në ekstrem,  u personalizua, u zvogëlua duke paralajmëruar e ndjellë zvogëlimin e trishtë të vetë PD-së.

Sidoqoftë, ndërsa përsërisim diktonin “ lexuesi lexon gazetën dhe jo historinë e saj”,  është e drejtë të përsërisim se “ RD” është gazeta themeluese e  shtypit të lirë në Shqipëri.

Ajo është, nuk ka tjetër. As më të mirë, as me të keqe.

Ashtu qëndron e do të qëndrojë edhe kur të mos ekzistojë më si  testatë. Sepse krijimi i shtypit të lirë është një ngjarje historike e  themelit të demokracinë  tonë.

Një ngjarje për t’u kujtuar.

Një ngjarje për t’u nderuar një ditë nga institucionet shtetërore që ligji i ngarkon të jenë  njohës dhe pasurues të  asaj që çmohet se është  vlerë  publike- kombëtare.

Një ngjarje për të reflektuar rreth  sfidave të reja të shtypit të lirë në kushtet e diversifikimit të pashembullt të mjeteve të informimit dhe rreziqeve që kërcënojnë lirinë e medias  dhe pushtetin e saj  autentik si shtyllë e rendit demokratik.

“RD” online nën drejtimin  e  gazetarit dhe eseistit të shquar letrar  Namir Lapardhaja sërish mund të behët shembulli i një reflektimi kësisoj.

( *Nga fjala e mbajtur në hotel Tirana)