Sekretari i Përgjithshëm i PD, Enkelejd Alibeaj, dhe Përfaqësuesi Ligjor i PD, Indrit Sefa, kanë përsëritur edhe njëherë qëndrimet e PD lidhur me amnistinë penale.

 

“Një pjesë e propozimeve të PD për amnistinë penale nuk janë përfshirë në projektligjin final. Dy kushtet tona për amnistinë penale janë: E para mos të përfshihen në amnisti personat e dënuar apo personat që janë nën hetim nga SPAK dhe GJKKO. Dhe e dyta, të përfitojnë nga amnistia të gjithë qytetarët që kanë protestuar për kauzat e tyre” – u shpreh Alibeaj.

 

Alibeaj tha se PD është e gatshme të votojë versionin fillestar të amnistisë, i cili është konsultuar edhe me institucionet e drejtësisë së re.

 

“Ne jemi të gatshëm të votojmë amnistinë e versionit fillestar që ka sjell qeveria. E kam pyetur publikisht ministrin Manja nëse e kishte diskutuar projekligjin fillestar me Institucionet e reja të drejtësisë, kam marrë një përgjigje pozitive. Pra projektligji kishte marrë dritën jeshile nga SPAK, GJKKO, KLGJ. Dhe e dyta, mos të futen amendamente tinëz në momentin e fundit që nuk janë në të mirën e interesit publik të kësaj amnistie” – tha Alibeaj.

 

Ai gjithashtu tha se qëndrimet e PD janë public, amnisti për protestuesit dhe jo amniti për të dënuarit apo të hetuarit nga SPAK-GJKKO.

 

“Nuk kemi asnjë negociatë me qeverinë. Qëndrimet i kemi publike, votojmë propozimin fillestar të amnistisë dhe të merret parasysh propozimi ynë që nga amnistia të përfitojnë protestuesit. Për këto e japim votën. Nuk votojmë projektligj që amniston të dënuarit nga GJKKO apo persona që janë nën hatim nga SPAK” – tha më tej Alibeaj.

 

Deputeti i PD më tej u shpreh se nëse qeveria do të peshkojë vota për ta kaluar këtë projektligj, kjo ndryshe përkthehet është t’i shpallësh luftë drejtësisë së re.

 

“Një amnisti që përfshin edhe të dënuarit nga GJKKO, apo të hetuarit nga SPAK, votat e PD nuk do t’i ketë. Nëse ministri me arrogancën e tij thotë se do të sigurojë vota, që do të thotë do të peshkojë vota, kjo është t’i shpallësh luftë drejtësisë, t’i shpallësh luftë SPAK-ut dhe GJKKO-së” – u shpreh Alibeaj.