DEKLARATA E ARBI AGALLIUT PAS SEANCËS PLENARE
Doja të ridenoncoja për të disatën herë faktin e projektligjit lidhur me investimet strategjike. Fatkeqësisht në seancën plenare sot, sikurse e dini tashmë rreth disa muaj nuk po lejohet që të ketë një diskutim normal për arsye të cilat dihen. Partia Demokratike ka mbajtur qëndrimet e veta, por ajo që duhet ta theksojmë, atë që ne kemi përmendur në vijushmëri është problematika me ligjin e investimeve strategjike.
Një ligj korruptiv, një ligj i cili ka pajisur me leje investitorëtë cilët kanë qenë pjesë e afërt e kësaj qeverie, klientë të kësaj qeverie. Në kaq e kaq vite janë 40, 44 leje të dhëna nga 88 aplikime, të tjerat janë ende në proces. Dhe kjo qeveri kërkoi deri para kësaj saance që ta zgjaste afatin e investimeve strategjike deri në 2027-ën dhe të riste vlerën nga 5 milionë në 50 milionë dhe 100 milionë. Deklaratat që PD ka bërë, oponenca që jemi munduar të bëjmë në këto hapësira që na lejon situata besoj që ka qenë e mjaftueshme nuk do të thoja, por ka qenë maksimumi i aktivitetit në këto kushte.
Qeveria sot ka bërë një hap mbrapa, duke tërhequr disa nga elementët siç është shuma e investimit apo zgjatja deri në 2027. Por në mënyrë të pakuptimtë vijon dhe zgjat afatin deri në 2024-ën. Prap jashtë çdo lloj konteksti ekonomik dhe jashtë çdo lloj konteksti normale logjike duke ditur që sot SPAK ka nën hetim dhe të akuzuar lidhur me investimet strategjike individ të cilët janë pjesë të qeverisë ose janë afër saj.
Element tjetër që doja të evidentoja është fakti me, unë do ta quaja gjobë të gjithë bizneseve që janë bregdetare apo buzë liqeneve duke i detyruar të vendosin impjante për përpunimin e ujërave të zeza, impiante që kushtojnë nga 25 mijë deri në 100 mijë euro. Ndërkohë që qeveria do të duhet të jetë ajo për të kryer investime të cilat risin efiçencën e turizmit, ulin ndotjet në dete dhe në liqene dhe nuk mund t’ia faturojnë këtë barë biznesit duke iu thënë që nëse deri në fillimin e sezonit nuk vendosen impiante, do të gjobiten me një vlerë taksative 15 mijë euro dhe do të shkojë deri në heqjen e liçencës.