DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, SEKRETARI I PËRGJITHSHËM, ENKELEJD ALIBEAJ

 

 

Përshëndetje, jam sot së bashku me sekretarin ligjor të Partisë Demokratike, edhe me zotin Murizi i cili është edhe avokati në fakt i të gjithë protestuesve ndjekur në mënyrë kohore që nga viti 2018-të e në vazhdim. Protestuesve qoftë atyre të penalizuar dhe në rastin kur është organizuar protestat dhe manifastimet nga ana e Partisë Demokratike, apo dhe protestat e tjera të organizuara nga shoqëria civile, apo edhe në rastet e tjera. Dal sot për të bërë një sqarim pasi sipas mediave jemi njohur së pari me një pretendim nga ana e mazhorancës që ditën e enjte, nesër pra në seancë plenare do të kalonte edhe ligjin e shumëpërfolur tashmë të amnistisë. Fakt është që deri në këto momente, rendi i ditës për seancën e nesërme nuk e përfshin projektligjin për amnistinë. Jam njohur nga ana tjetër me një amendament të paraqitur nga një grup deputetësh dhe nga kjo mora spunto sot për të bërë këtë sqarim publik. Së pari, që nesër të mos futet në mënyrë të vjedhur, fshehtas një projektligj kaq i rëndësishëm në errësirë, të panjohur, se cili është versioni mbi të cilin do të diskutohet. Do të jetë versioni fillestar i qeverisë ndaj të cilit ne kemi paraqitur amendamente. Do të jetë versioni i dalë nga komisioni i ligjeve ku tashmë dihet publikisht që janë shtuar përfitues të amnistisë edhe subjekte që janë në ndjekje penale nga SPAK-u apo të dënuar nga gjykata kundër korrupsionit, e për këtë arsye sqaroj sot se cili është pozicioni ynë nën optikën e këtyre pikpamjeve apo versioneve që qeveria ka mbajtur gjatë gjithë kësaj kohe dhe të amendamenteve të paraqitur nga ana e deputetëve.

Së pari do të duhet të sqaroj qëndrimi ynë ka qenë publik dhe i qartë. Amnistia do të duhet të kalojë, subjektet të cilat do të duhet të përfitojnë do të duhet të jenë vetëm ata të cilët përfitonin sipas versionit fillestar të qeverisë, që do të thotë: asnjë i ndjekur penalisht, asnjë i gjykuar, asnjë i dënuar nga SPAK-u dhe GJJKKO-ja, nuk duhet të përfitojë nga amnistia. Ky është rasti për t’i dhënë një mbështetje drejtësisë së re. Së dyti, e kemi bërë publike, ne do të jepnim votën tonë pro amnistisë në qoftë se do të përfitonin edhe protestuesit gjatë protestave të organizuara nga Partia Demokratike, nga shoqëria civile, protestuesit e Astirit, të Teatrit, të Shkozës, ata që u ngritën për vrasjen e të riut Klodian Rasha, e me rradhë. Nga analiza e të gjitha versioneve të sjella nga qeveria sipas Komisionit të Ligjeve, ku lejohen ata të dënuar apo të ndjekur nga SPAK-u dhe GJKKO-ja që të përfitojnë nga amnistia, apo dhe nga amendamentet e paraqitura nga një grup deputetësh sipas së cilës nuk përfitojnë protestuesit e organizuar, të protestave të organizuara nga Partia Demokratike, qëndrimi ynë është ky: As njëri variant dhe as tjetri nuk përmbush kushtet. Kushtet për të cilat besojmë ne, janë kushtet që i çojnë sinjale të interesit publik dhe ruajnë të paprekur mbështetjen që do të duhet të japimndaj SPAK-ut dhe drejtësisë së re. Po ju marr një shembull, lidhur me protestuesit, protestuesit të cilët janë ngritur në protesta sipas thirrjeve të bërë nga Partia Demokratike, nga shoqëria civile, apo të organizuar spontanisht, janë përjashtuar sipas versionit të qeverisë, sipas versionit të komisionit të ligjeve, apo sipas amendamentit të sjell nga grupi i deputetëve, këto dispozita penale.

Neni 151, paragrafi i dytë, shkatërrimi i pronës me zjarr. Neni 235, paragrafi i dytë, kundërshtimi i punonjësve që kryejnë një deyrë shtetërore si një shërbim publik. Dhe sidomos neni 236 paragrafi i dytë, për nenin që titullohet kundërshtimi i punonjësve të rendit publik. Po ju bëj me dije që shumica dërrmuese e protestuesve janë të akuzuar mes shumë e shumë veprash penale, por ka një emërues të përbashkët për këtë dispozitë, neni 236 paragrafi i dytë “kundërshtimi i punonjësve të rendit publik”. Dhe kjo është e kuptueshme, në një shtet policor protestuesit akuzohen për këtë dispozitë penale. Si në versionin e qeverisë, si në versionin e komisionit të ligjeve, ashtu dhe në versionin e amendamentit të sjellë nga deputetë nuk përfshihet kjo dispozitë. Do të thotë, protestuesit nuk përfitojnë.

Ndaj e bëj të qartë sot që qëndrimi final i yni është ai që kemi mbajtur në vazhdimësi. Amnistia do të duhet miratohet, por do të duhet të përfitojnë vetëm ata të cilët nuk janë produkt i ndjekjes penale, i dënimit, i gjykimit, i kallëzimit nga SPAK, BKH dhe GJKKO, pra nga drejtësia e re. Dhe do të duhet të përfitojnë protestuesit sipas opinionit dhe amendamentit tonë. Cënimi i njërit prej këtyre dy kushteve, e bën që qëndrimi ynë të jetë i qartë. Të mos e mbështesim një produkt të këtill. Së fundi do të uroja që për sa kohë në rendin e ditës nuk është i përfshirë amnistia, do të uroja që nesër të mos përfshihet në rendin e ditës pa bërë dritë se mbi cilin version do të votojë nesër parlamenti. Amendamentet mbi cilin version janë sjellë, që mos të jetë një produkt i një kulise, i një pazari, i një marrëveshjeje e cila nuk bën asgjë dhe nuk i shërben interesit publik, por se është dhe vetëm një produkt i një marrëveshjeje okulte dhe në fshetësi. Do të presim nesër. E bëra që sot të qartë qëndrimin tonë, të shohim nesër se cili do të jetë qëndrimi i palëve të tjera lidhur me amnistinë. Faleminderit!