PJESË NGA FJALA E KRYETARI I PD, LULZIM BASHA, NË KUVENDIN ZGJEDHOR TË DEGËS NR. 15 TË PD, TIRANË

 

Mbrëmë e panë mirë të gjithë shqiptarët, e panë edhe ata të shkretë që ei kanë ndjekur sa e sa muaj se ku është pazari dhe për çfarë bëhet pazari. Mbrëmë e pamë se si u zerua zelli revolucionar i 5 muajve, e them këtë jo pa ironi që për 5 muaj revolucioni nuk solli asnjë të mirë për demokratët. I preu fytin opozitës parlamentare, ndërkohë që Edi Rama vazhdonte ngrinte kartonat, miratonte buxhete, ligje, shpronësime, investime strategjike për miqtë e vet të korruptuar dhe për bandat kriminale, por opozita nuk arrinte dot as të bënte një diskutim të vetëm për buxhetin e shtetit. 7 miliardë euro buxhet, s’pikon asgjë për fermerin shqiptar. Pse? Se po bënim revolucion pra. Ku një natë të bukur revolucioni mbaroi. Si mbaroi revolucioni? Duke i vënë kazmën komisionit për reformën zgjedhore, duke e paralajmëruar një skemë mafioze për t’i vënë kazmën SPAK-ut, se aty është halli dhe mbrëmë duke aprovuar një amnisti të turpshme ku falen apo ndalet procesi. Falen ata që janë në burg dhe ndalet procesi për ata që jënë në proces gjyqsor, drejtorët e korruptuar, zyrtarët e korruptuar. Ndërsa protestuesit në masë dërrmuese demokratë kundër korrupsionit dhe kundër kriminializimit të shtetit, nuk përfitojnë. Dhe përfshirë edhe protestuesit e kësaj dege. Edhe sot, edhe javën e ardhshme do të jenë në gjyqe, sepse kauza e turpshme e pseudorevolucionit përfundoi në një Pazar me përfitues të vetëm Edi Ramën dhe me humbës interesin e çdo shqiptari.

 

Kanë një vit e gjysëm që i fusin shkopinj nëpër rrota SPAK-ut, që i presin buxhetin, nuk i japin personelin e mjaftueshëm, kanë filluar ta godasin politikisht. I pari Edi Rama që i thotë BKH-së “kush je ti që vjen e kërkon te ne”, “sillu më mirë” – i thotë. Byrosë Kombëtare të Hetimit i thotë silluni më mirë  me zyrat e shtetit. Pra ky që në fakt duhet të mbyll gojën para BKH-së, para SPAK-ut, sepse këta prandaj janë krijuar kundërkorrupsionit, ka filluar tani t’i kërcënojë, i quan “republikë prokurorësh”. Dhe papritur shohim palën tjetër, pazarxhinjtë e vërtetë në krah të Edi Ramës. Si? Fare e qartë. Dje të paktën 10 apo 15 nene të amnistisë përfitues janë zyrtarë të korruptuar për tendera, për korrupsion aktiv, për korrupsion zgjedhor. Janë aty, e zezë mbi të bardh. Pra, ata deputetë që i thonë vetes deputetë të Partisë Demokratike, ngritën kartonat për të amnistuar drejtorët e korruptuar të Edi Ramës. Ndërkohë që kanë lënë në ndjekje penale jo dhjetëra por qindra protestues demokratë të cilët nuk përfitojnë nga amnistia e djeshme. Sepse janë kthyer në aneks të partisë socialiste dhe të Edi Ramës.