Kryetari i PD, Lulzim Basha, ka reaguar në lishje me miratimin e Rezolutës për Srebrenicën në Asamblenë e OKB. Basha shprejet se “vota PRO rezolutës së Srebrenicës i vendos emrin e duhur një ngjarjeje të dhimbshme për të gjithë Europën, e në veçanti për gratë dhe nënat boshnjake, që humbën 8 mijë burra dhe djem për shkak të masakrës së kryer nga shovinistët serb”.

REAGIMI I BASHËS

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara mbajti sot një qëndrim dinjitoz që i shërben kujtesës për të mos harruar dhe së ardhmes që e shkuara të mos përsëritet. Vota PRO rezolutës së Srebrenicës i vendos emrin e duhur një ngjarjeje të dhimbshme për të gjithë Europën, e në veçanti për gratë dhe nënat boshnjake, që humbën 8 mijë burra dhe djem për shkak të masakrës së kryer nga shovinistët serb.

Tashmë 11 korriku do të njihet botërisht dhe përgjithmonë si Dita Ndërkombëtare në Kujtim të Gjenocidit të Srebrenicës, duke i shërbyer kujtesës dhe reflektimit të përhershëm për çmimin e lirisë që paguan boshnjakët nga makineria serbe, e cila, me një agresivitet çnjerëzor, u shfaq edhe në luftën e Kosovës.

Zhvillimet e fundit në rajon dëshmojnë se krimet e padënuara përbëjnë bazë që ato të përsëriten, për më tepër kur politika kthehet në një lojë për autokratët, që për pushtetin e tyre kërkojnë të rikthejnë në Ballkan hijet e errëta të së kaluarës, ndërkohë që popujt, qofshin këta boshnjak, shqiptar, maqedonas, malazez a serb, kërkojnë të shohin drejt së ardhmes.