Këshilltarja e PD në bashkinë Durrës, Edlira Leka, shprehet se bashkia Durrës nuk zbaton rregulloren për konsultimin publik. Në postimin e saj në Facebook, Leka thotë se një rast i tillë ka ndodhur me vendimin e fundit të këtij instutucioni, i cili ka vendosur që parkimet në rrugët kryesore të qytetit bregdetar të bëhen me pagesë.

Këshilltarja e PD më tej thotë se jo vetëm që qytetarët nuk janë informuar, por edhe orari i vendosur për konsultim është në kohë pune.

POSTIMI I PLOTË

Në datën 23 maj 2024, jemi njoftuar nëpërmjet postës elektronike e-mail, se pas katër ditësh, konkretisht më dt 27 maj ora 14:00 do të mbahej konsultimi me komunitetin në lidhje me përcaktimin e zonave të administrimit të parkimit dhe tarifave të shërbimit në territorin e Bashkisë Durrës.

Në Rregulloren e Funksionimit të Këshillit të Bashkisë Durrës, Neni 131 i cili i kushtohet të drejtave të qytetarëve për pjesëmarrje në qeverisjen bashkiake në pikën 1 citon “Këshilli Bashkiak është i detyruar të garantojë pjesëmarrjen publike në procesin e vendimmarrjes, nëpërmjet seancave të këshillimit me bashkësinë apo pjesëmarrjes direkte të bashkësisë në hartimin e dokumenteve të politikave dhe projektakteve”.

Qëndrimi im i mbajtur sot ishte se:
Koha prej katër ditësh është totalisht e pamjaftueshme për t`u konsultuar me gjithë banorët që preken. Nga kontakti me qytetarë të rastësishëm në këto ditë rezultonte se nuk kishin asnjë informacion se parkimet në rrugët kryesore të qytetit të tyre do të bëheshin me pagesë.

Nga njoftimet e bëra te qytetarët rezulton se orari dhe dita që u mbajt dëgjesa publike ishte e pamundur të ishin pjesëmarrës për arsye se janë në marrëdhënie pune, ndaj është e domosdoshme një dëgjesë tjetër publike.

Dëgjesa tjetër të mbahet pasi qytetarët të jenë njoftuar në mënyrë korrekte për prekjen e xhepave të tyre.

Një banderolë e madhe te pallati i kulturës për të informuar qytetarët për rrugët dhe për tarifat do të ishte e udhës. Do të njiheshin më së miri me vizionin e Bashkisë Durrës.

Edhe nëse do të bëhej një sondazh nuk do të ishte keq.

Ky është një projekt që i prek të gjithë qytetarët dhe konsultimi duhet të jetë i shtrirë në kohë. Nuk ka arsye gjithë kjo ngutje.

Vërej se kur bëhet fjalë që qytetarët të marrin shërbime me pagesë projektet ecin me shpejtësi të madhe e në kohë të kufizuar.

Më poshtë gjeni projektin në detaje.

Rrugët e destinuara për parkim në rrugë me pagesë 100 lekë ora ose me kursin e këmbimit sot 1€ në orë.
1. Rruga “Taulantia”
2. Rruga e “Currilave”
3. Bulevardi “Epidamn”
4. Bulevardi “Dyrrah”
5. Rruga “Egnatia”
6. Rruga “Mars 91”
7. Rruga “Aleksandër Goga” (segmenti 1)
8. Rruga e “Dëshmorëve”
9. Rruga “Adria”
10. Rruga “Pavarsia”
11. Rruga “Hafiz Pogdorica

Rrugët e konsideruara si zona B, në parkimet e tyre do të paguhen 40 lekë të reja në orë.
1.Rruga “Aleksandër Goga” (segmenti 2)
2. Rruga “Mujo Ulqinaku”
3. Rruga “Stefan Kaculini” dhe rruga “Glaukia”
4. Rruga “Hysen Kërtusha

Banorët që i kanë banesat në këto rrugë, do t’u duhet të parkojnë o në rrugët brenda lagjes si rezident ose do paguajnë tarifën si qytetar të një qyteti tjetër apo si turist.