Kryetari i PD, Lulzim Basha, ka zhvilluar ditën e sotme një tryezë diskutimi për programin e PD, ku të pranishëm ishin ekspertë të fushës. Në fjalën e tij Basha tha se sot PD nis një debat kombëtar për një program që do të jetë it ë gjithë shqiptarëve.
“Të nderuar zonja dhe zotërinj, miq të ftuar, të pranishëm, të dashur bashkëqytetar, kjo është tryeza e parë që organizojmë pas shpalosjes të programit të Partisë demokratike ditën e shtunë, dhe është stacioni i parë , padiskutim na sjell tek ekonomia në të gjithë kuptimet e saj, tek klima e biznesit, tek taksat, tek çmimet, tek kostoja e jetesës, tek punësimi dhe shpunësimi, tek e ardhmja e rinisë në raport me tregun e punës dhe me investimet e huaja dhe të brendshme në vend, për të cilën kam kënaqësinë e madhe të falënderojë për pjesëmarrjen të gjithë ekspertët e ftuar që ndodhen sot të pranishëm këtu. Njerëz të kontributeve të veçanta publike, akademike dhe padiskutim figura me një reputacion të padiskutueshëm sa i takon ekonomisë dhe çështjeve ekonomike, të cilët kanë ndarë kohën për të qenë në këtë tryezë për të debatuar, për të diskutuar, për të nisur pra një udhëtim të përbashkët me një këndvështrim mbi ofertën e Partisë Demokratike, sepse synimi ynë është dhe mbetet, atë që kemi shpalosur si ofertë të Partisë Demokratike si program të Partisë Demokratike ta kthejmë së bashku me shqiptarët në një program për shqiptarët” – tha Basha.
Basha gjithashtu tha se korrupsioni galopant është gangrenë për ekonominë. Sipas tij, programi i PD sjell një tjetër kulturë politike si dhe nxit mirëqenien.
“Synimi është një dhe vetëem një: asnjë pjesë e programit dhe ofertës tonë të mos mbetet në hije, asgjë të mos i mbetet rastësisë. Një kulturë e re politike kërkon që oferta e cdo formacioni politik të jetë transparente. Oferta e çdo partie politike që mëton të qeverisë nesër vendin siç është Partia Demokratike e Shqipërisë, të mos jetë një pusi për elektoratin, për votuesin por të kenë shansin të njihen me të, ta debatojnë atë, ku është e mundur dhe e nevojshme pse jo ta përmirësojnë atë. Zonja dhe zotërinj, ekonomia shqiptare vuan në një lëngatë të shumëfishtë. Vuan nga njëra anë për shkak të korrupsionit galopant, një sëmundje shoqëruese e tranzicionit shqiptar, por që nuk ka pasur kurrë nivele të tilla si në këtë dekadë dhe në këtë mënyrë është kthyer jo thjesht një pengesë, por një gangrenë për rritjen ekonomike, është kthyer në kontribuesin kryesor për mosmirëqenien e shqiptarëve, për varfërinë e tyre, për ankthin që ka kapluar si faktorët ekonomik ashtu edhe tregun e punës, që i është përcjell familjes shqiptare, i është përcjellë në veçanti rinisë shqiptare me pasojat të rënda, mpakjen e vendit, shpopullimin e vendit” – u shpreh Basha.