Në tryezën e zhvilluar me partitë politike dhe këshilltarët bashkiakë të forcave të Harkut Opozitar Euroatlantikë, kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, solli në vëmendje raportin e Bashkimit Europian për shtetin e së drejtës që theksonte atë që Basha ka denoncuar planin djallëzor të Edi Ramës për t’i prerë burimet njerëzore dhe financiare dhe infrastrukturën ligjore për të bërë detyrën e vet.

Basha gjithashtu tha se sot nuk janë vetëm Demokratët Euroatlantikë dhe Altin Dumani që e dhanë me statistikë numrin e të korruptuarve të liruar dhe nga burgu 117 prej tyre, të cilët ishin zyrtarë të lartë të administratës së Edi Ramës, por tashmë e thotë edhe Bashkimit Europian.

Pjesë nga fjala e Bashës:

Sa herë kemi denoncuar planin djallëzor të Edi Ramës për të vendosur nën mbikqyrje politike SPAK-un, për t’i prerë burimet njerëzore dhe financiare dhe infrastrukturën ligjore për të bërë detyrën e vet. Dje me ekzaktësisht të njëjtat formulime këtë nuk e thamë thjesht ne, por e tha raporti zyrtar i Bashkimit Europian për shtetin e së drejtës. Sa herë e kemi thënë që motivi kryesor për goditjen e SPAK është korrupsioni në nivelet më të larta në 34 vite në Shqipëri gjatë qeverisjes së Edi Ramës.

Sot nuk jemi vetëm ne, është raporti zyrtar për shtetin e së drejtës i Bashkimit Europian. Kemi 6 muaj që tregojmë me gisht Edi Ramën, Ulsi Manjën dhe basdhibozukët e tyre politikë. Por dhe këta të tjerët që bashkuan votat për të liruar të korruptuarit me amnistinë e turpshme.

Sot nuk jemi vetëm ne, nuk është vetëm Altin Dumani që e dha me statistikë numrin e të korruptuarve të liruar nga akuzat dhe nga burgu 117 prej tyre, nga i pari tek i fundit zyrtar të lartë të administratës së Edi Ramës. Tani është raporti i Bashkimit Europian dje që bën të qartë se amnistia liroi të korruptuarit.