Kryetari i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka përkujtuar dy poetët Genc Leka dhe Vilson Blloshmi, të cilët u ekzekutuan nga regjimi komunist.

Në një postim në facebook, Basha shkruan se ekzekutimi i poetëve martirë është damka e përgjakshme e regjimeve xhahile, është sakrifica sublime e korifenjve të ndryshimit, që kanë forcën shpirtërore dhe morale për t’i qëndruar përballë të keqes, edhe kur ajo duket e pakapërcyeshme, edhe kur ajo të rrëmben rininë dhe jetën.

Ai më tej shkruan se Shqipëria nuk mund të jetë më Saharaja, pasi shqiptarët dinë të ëndërrojnë një jetë më të mirë dhe meritojnë ta kenë.

Postimi i plotë i Bashës:

47 vjet më parë diktatura komuniste vrau mizorisht Genc Lekën dhe Vilson Blloshmin, poetët që rrezatonin në terrin e regjimit, errësira e të cilit nuk toleronte guximin, krijimtarinë dhe lirinë që vepra e tyre përcillte në shkretëtirën e krijuar përmes dhunës së egër dhe frikës.

Ekzekutimi i poetëve martirë është damka e përgjakshme e regjimeve xhahile, është sakrifica sublime e korifenjve të ndryshimit, që kanë forcën shpirtërore dhe morale për t’i qëndruar përballë të keqes, edhe kur ajo duket e pakapërcyeshme, edhe kur ajo të rrëmben rininë dhe jetën.
Por vjen një moment, që kurrë nuk harron, kur vuajtja kthehet në revoltë, dhe guximi i Gencit dhe Vilsonit frymëzon, siç ka frymëzuar përherë brezat për t’i qëndruar me çdo kusht përballë regjimeve.

Vepra e tyre bëhet e madhe dhe e pavdekshme me kalimin e viteve, sepse siç sfidonte kastën njëngjyrëshe të regjimit komunist, nxit të gjithë ne, e në veçanti të rinjtë, të sfidojmë kastën e kameleonëve të tranzicionit, që ricklon me mjete të reja regjimin e vjetër dhe mbetjet e tij. Shqipëria nuk mund të jetë më Saharaja, shqiptarët dinë të ëndërrojnë një jetë më të mirë. Dhe meritojnë ta kenë.

Mirënjohje përjetë Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës! I pavdekshëm qoftë kujtimi i tyre!