Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, është pyetur për dosjen 21 janari e regjistruar tashmë në SPAK. Në konferencën për mediat, Basha tha se mesazhi i tij është që dosja të hetohet plotësisht në mënyrë të paanshme dhe profesionale, si dhe përsëriti gadishmërinë për të ndihmuar për zbardhjen e plotë të kësja ngjarjeje.

Ai më tej tha se roli i tij është të jetë 100% në dispozicion të drejtësisë për gjithçka që kërkohet, ndërsa u shpreh se ky është standarti perëndimor.

Basha më tej tha se kjo ngjarje ka tre dimensione që janë njerëzor për faktin janë vrarë tre njerëz të pafajshëm dhe dimension ligjor që duhet të hetohet gjithçka. E treta dimensioni politik, ku pushkatarët që akuzoi Edi Rama i bëri kryetar PS-je, kryetar Bashkie dhe personin për të cilën i çoi njerëzit të vriten, e bëri aleat, kryetar Kuvendi dhe President të Republikës.

Pjesë nga fjala e Bashës:

Pyetje: Ditën e sotme Prokuroria e Posaçme ka njoftuar zyrtarisht që ka regjistruar procedimin penal për ngjarjet e 21 janarit. Zoti Basha cili është mesazhi juaj që i jepni qytetarëve shqiptarë por edhe kësaj Strukture, pasi Gjykata e Lartë e ka orientuar hetimin. Pra, duhet të hetohet roli i ministrit të Brendshëm të asaj kohe që keni qenë ju në detyrë atë ditë.

Lulzim Basha: Të hetojë gjithçka, plotësisht në mënyrë të paanshme dhe profesionale. Ky ka qenë mesazhi im në këto 13 vite dhe ky mbetet mesazhi im dhe natyrisht në funksion të këtij mesazhi, kam qenë dhe mbetem në dispozicion të çdo akti të drejtësisë për të bërë zbardhjen e plotë dhe drejtësinë e plotë për 21 janarin.

Nuk është roli im të komentojë akte të cilat janë nën hetim penal. Roli im si qytetarë dhe si politikan, është të vendosemi 100% në dispozicion të drejtësisë për gjithçka që drejtësia kërkon, Ky është standarti perëndimor. Kush nuk është mësuar me këtë standart perëndimor nuk i vë faj, se 34 vite këtu ka dominuar standarti lindor, le të mësohet.

Në këto 13 vite janë graduar pushkatarët, e kam thënë dhe një herë tjetër. Ka tre dimensione: dimensioni njerëzor, 4 jetë njerëzisht të pafajshëm, një tragjedi e cila duhet të marrë një përgjigje ligjore. Dimension ligjor të hetohet gjithçka nga fillimi deri në fund. Dimensioni politik, pushkatarët që akuzoi Edi Rama i bëri kryetar PS-je, kryetar Bashkie i pasuroi. Personin për të cilin e bëri e bëri President. Në fillim e bëri aleat, kryetar Kuvendi, President. Shqiptarët e kuptojnë që 21 janari ka dhe dimensionin e dhimbshëm të manipulimit politik. Këtë e kam thënë dhe po ua them përsëri dhe sot pas 13 vitesh, sikundër e kam thënë në çdo program dhe në çdo emision në të cilin jam ftuar. Kështu që për 21 janarin keni njerëz të pafytyrë dhe të dyfytyrë sa të duash dhe keni një person që ka folur me koherencë nga fillimi deri në fund dhe ky jam unë dhe kësaj koherence i qëndrojë dhe sot.