Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka shpërndarë një video në të cilën Sali Berisha dhe Edi Rama shfaqen duke sulmuar njëri-tjetrin, me angazhimin e Ramës kur deklaronte që nuk do të negocionte me të shpallurin “non grata” dhe deklaratat e Berishës i cili thotë se konsensusi me Ramën është si të puthesh me Judën.
Lulzim Basha e cilëson si pjesë të pazarit marrëveshjen e arritur mes Ramës dhe Berishës për ndryshimet në kodin zgjdhor, që sipas tij i ka shkrirë ata në një parti, për shkak të halleve të përbashkëta me SPAK.
Postimi i Lulzim Bashës:
Asnjë mashtrim nuk e mbulon dot pazarin e djeshëm, sepse pa votat e Sali Berishës, Rama nuk i mbyllte dot listat.
Justifikimet për t’iu hedhur hi syve të shqiptarëve dhe demokratëve, nuk e zbehin dot revoltën ndaj allishverishit mes Rilindjes dhe Rithemelimit.
Indinjata nuk ka qenë kurrë kaq e madhe, sepse të gjithë e dinë tashmë që ata janë shkrirë në një parti të vetme për të mbrojtur interesat e tyre dhe të karrigeve të tyre, duke u tallur me qytetarët që duan një Reformë Zgjedhore të vërtetë.
Vota e kamikazëve të kryeministrit më të korruptuar në Europë dhe të ish-kryeministrit të shpallur non grata për korrupsion madhor, dëshmoi se ata nuk kanë hallin e familjeve shqiptare, të varfërisë, të largimit të të rinjve, të korrupsionit të kudogjendur, por i shqetëson vetëm halli i tyre i përbashkët me SPAK-un.
Shqipëria nuk e meriton këtë pazar të turpshëm!