Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka shpërndarë një tjetër pjesë të programit të forcës së tij politike që ka të bëjë me rininë. Sipas Bashës, Edi Rama e ka lënë vendin pa rini, si pasojë e politikave të gabuara dhe shkatërrimit të sistemit arsimor.

Për këtë, ai thotë se vendit i duhet një ndryshim rrënjësor, me investime madhore në fushën e arsimit dhe kualifikimit të të rinjve, duke i bërë gati për tregun e punës, me paga dinjitoze.

Në programin e Demokratëve Euroatlantikë parashikohet mirëpërgatitja e 25 mijë të rinjve dhe të rejave në kampin e teknologjisë së informacionit, me trajnues nga SHBA dhe BE, duke e bërë Shqipërinë pjesë e valës së ekonomisë së re që po përfshin vendet perëndimore, nga e cila të rinjtë mund të fitojnë paga mesatare prej 2 mijë euro në muaj, duke krijuar premisat për fuqizimin dhe zgjerimin e shtresës së mesme, e cila është dhe garancia për zhvillimin ekonomik dhe demokratik të vendit.

“Qeveria Rama e ka lënë në baltë rininë shqiptare. Me premtime të pambajtura, me dështimet e panumërta, me mungesën e mundësive, shkatërrimin e arsimit, ka prodhuar vetëm krah të lirë pune për tregjet e huaja, duke e lënë vendin pa rini dhe pa të ardhme. Vendi kërkon një ndryshim rrënjësor, prandaj programi reformues i demokratëve euroatlantikë përashikon investime madhore për një model të ri zhvillimor, duke u dhënë mjetet e duhura të rinjve për të hyrë ne tregun e punës, si profesionistë të mirëpaguar, baza e një shtresë të mesme që garanton demokracinë shqiptare” – shkruan Basha.

Në fjalën e tij, Basha e cilëson si investimin më madhor ngritjen e 4 kampuseve të mëdha trajnimi, që do jenë baza për ndërtimin e një modeli të ri i përparimit përmes dijes.

“Investimi më madhor i planit tonë ekonomik janë 4 qendra të mëdha për trajnimin e 25 000 të rinjve dhe të rejave, në 4 vitet e ardhshme, nga trajnuesit më të mire europianë dhe amerikanë në fushën e Teknologjisë së Informacionit. Me pagë mesatare prej 2 000 eurosh, me 25 000 të rinj dhe të reja, Shqipëria do të prekë ndryshim që po mbulon Europën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 25 000 familje do të kenë të punësuar me paga dinjitoze. Një model i ri, i përparimit përmes dijes, shkollimit dhe punës së ndershme profesionale, do t’i ofrohet gjithë rinisë shqiptare. Dhe një shtrese e re e mesme, profesionistësh të mirë paguar, do të jetë themeli dhe garancia për ekonominë e zhvilluar dhe demokracinë shqiptare” – tha Basha.