Në konferencën për mediat, kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, është shprehur në mbështetje të planit të SPAK për ngritjen e strukturave rajonale për krimin zgjedhor. Basha shtoi se Kryesia e Demokratëve Euroatlantikë ka vendosur përshpejtimin e procesit të evidentimit të kandidaturave për deputet dhe ecjen përpara me ngritjen e aleancave parazgjedhore me forcat e tjera politike.
Pjesë nga fjala e Bashës:
Ne qëndrojmë fuqimisht kundër kësaj. Nëse ka një nga tiparet dalluese që na ndajnë me këtë kastë tribale të korruptuar, është mbështetja pa kushte për SPAK. Dua të përshëndes vendimin e SPAK për të krijuar në nivel qarku seksione të veçanta për krimet elektorale në pararendje të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
Ndonëse dihet që Edi Rama dhe qeveria e tij e korruptuar i kanë këto zgjedhje jetë a vdekje, jo thjeshtë për pushtetin, por për të mbrojtur veten e tyre nga ndjekja penale dhe fundi i merituar para drejtësisë, ndonëse dihet se kanë shndërruar shtetin shqiptar në një makineri gjigande, një pronë private, që me taksat e shqiptarëve ndërton pushtetin okult më të korruptuar në Europë, ndonëse dihet se aseti më i madh i Edi Ramës është Sali Berisha dhe përpjekja e tij për ta marrë peng opozitën në diskursin tribal: Kush është më pak i korruptuar Edi Rama apo Sali Berisha, shumica e shqiptarëve duan ndryshim. Nuk do të heqin dorë nga të kërkuarit e këtij ndryshimi, siç ne nuk do të heqim dorë për t’iu ofruar alternativën. Për t’iu ofruar listën e kandidatëve, programin dhe aleancën e gjithë forcave që duan t’i japin fund tranzicionit dhe nuk mund të pranojnë një Katovicë të dytë për 30 vitet e ardhshme në Shqipëri.
Ndaj e përshëndes këtë akt të SPAK-ut, shpreh mirënjohjen dhe mbështetjen, sikundër do të përgatisimi të gjitha aspektet organizative, në mënyrë që seksionet kundër krimit elektroal të kenë vëmendjen e qytetarëve, denoncimet e tyre, jo vetëm ditën e votimit apo muajin e zgjedhjeve, por në gjithë këtë periudhë para-elektorale, ku nisin abuzimet e rënda me pushtetin, blerja e votave, presioni ndaj votuesve, dhe të tjera dallavere tashmë të njohura të Edi Ramës dhe pushtetit të tij të korruptiv.
Në funksion të përgatitjes së fushatës zgjedhore, Kryesia e Partisë Demokratike – Demokratët Euroatlantikë, dje ka vendosur përshpejtimin e procesit të evidentimit të kandidaturave për deputetë, si dhe ecjen përpara me aleancën parazgjedhore.
Në mënyrë që aseti më i çmuar që kemi para zgjedhjeve, që është koha, të mos shpërdorohet në debatet boshe të imponuar nga anxhenda e përbashkët e kryeministrit të korruptuar dhe ish-kryeministrit, por t’i shërbej qytetarëve. Në mënyrë që programi ynë qeveritar, programi ynë zgjedhor, i shpalosur më 1 qershor, të shkojë të çdo grup interesi, te çdo qytetar, dhe të përbëj bazën e debatit publik mbi atë se çfarë meritojnë shqiptarët, mbi atë që meriton Shqipëria.