Në konferencën për mediat, kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, është shprehur se pakti Berisha-Rama vazhdon dhe sot e kësaj dite, siç ishte edhe në aktin e paligjshëm për vulën e PD.

Ai i bëri thirrje Gjykatës së Apelit të zbatojë ligjin, pasi kanë kaluar 30 ditë nga afati ligjor për të zbardhur vendimin skandaloz të 11 qershorit, pasi përveçse dhanë një vendim të paligjshëm, tani zvarrisin edhe zbardhjen e këtij vendimi.

Basha gjithashtu tha se vendimi nuk zbardhet deri në fund të kësaj jave, për të vazhduan më pas me rekursin në Gjykatën e Lartë, Demokratët Euroatlantikë do t’i drejtohen KLGJ-së, ILD-së dhe SPAK-ut dhe partnerëve ndërkombëtar për këtë skandal të rradhës të kësaj gjykate.

Pjesë nga fjala e Bashës:

Pakti midis Sali Berishës dhe Edi Ramës vazhdon dhe sot e kësaj e dite. Vazhdon me aktin skandaloz të paligjshëm të 11 qershorit, me të cilin rast dua t’i bëj thirrje Gjykatës së Apelit të zbatojë pa vonesë ligjin. Sot është data 16 korrik, 30 ditë kanë kaluar nga afati ligjor për të zbardhur vendimin skandaloz të 11 qershorit, jo vetëm kanë dhënë një vendim të paligjshëm, por tani zvarrisin edhe zbardhjen e këtij vendimi. Ky është një akt i papranueshëm, ndaj nëse deri në fund të kësaj jave nuk do të ketë një zbardhje të plotë të vendimit për të mundësuar pastaj hapin tjetër të rekursit në Gjykatë të Lartë nga Partia Demokratike e Shqipërisë – Demokratët Euroatlantikë, ne do t’i drejtohemi të gjitha instancave përkatëse KLGJ-së, ILD-së dhe SPAK-ut, sikundër do të informojmë në detaje të gjithë partnerët strategjikë për këtë skandal të rradhës të Gjykatës së Apelit në moszbatimin e ligjit dhe parashikimeve ligjore për zbardhjen e vendimit ecjen përpara me rekursin në Gjykatë të Lartë.