Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, në një deklaratë për mediat, u shpreh se Rama dhe Berisha duan ta mbajnë Shqipërinë kështu siç e kanë bërë atë nga maja e pushteti të tyre. Basha tha se janë trembur nga skeletet në dollapet e pushtetit të tyre dhe për këtë u bëri thirrje qytetarëve që t’i ndëshkojnë me votë.
Pjesë nga fjala e Bashës:
Përballja finale është tashmë afër, dhe dallimi mes të ardhmes dhe të shkuarës nuk ka qenë kurrë më e qartë, nuk ka qenë kurrë me e lehtë për t’u shquar me sy të lirë.
Rama dhe Berisha e kanë hedhur hapin e tyre. Dje u rreshtuan të kapur dorë për dorë në një front kundër ndryshimit. Ata duan ta mbajnë Shqipërinë kështu siç e kanë bërë nga karriget e pushtetit që kanë mbajtur.
Me korrupsion të kudgjendur, me shpopullim masiv, me rini të dëbuar, me familje të varfëruara, me media të kapura, pa drejtës, pa mirëqenie për të gjithë.
Na takon ne të ofrojmë alternativën përballë kësaj dysheje dhe kamikazëve të tyre, që janë gati të hidhen në erë për të mbrojtur shefat e tyre përballë drejtësisë.
Na takon në të bëjmë detyrën tonë qytetare, për të mos lënë që dy persona, të trembur nga skeletet në dollapet e pushtetit të tyre, të mbajnë vendin në gjendje të mjerueshme.
Edhe pse pazari u gatua në skutat e kuvendit, edhe pse u votua natën vonë, marrëveshja e tyre doli në dritë brenda dhe jashtë vendit.