Kryetari i degës së PD-Demokratët Euroatlantikë Krujë, Sabah Sheta u ka bërë thirrje sërish banorëve të zonës që t’i bashkohen protestës së radhës që do të mbahet ditën e nesërme në autostradën Thumanë-Kashar, për të kërkuar të drejtën për akes në këtë rrugë.
Me anë të një postimi në facebook, Sheta falenderon qytetarët për protestat e deritanishme shembullore dhe qytetare dhe i bëri thirrje qeverisë që të zhbëjë këtë padrejtësi.
Reagimi i plotë i Sabah Sheta:
Asnjë hap pas/Të vendosur për të vazhduar protestat deri në çlirimin e Krujës nga izolimi
Neser date 06/09/2024 protesta rradhes ora 18-00 ish rrotullimi Thumanes!
E nis këtë reagim timin sërish me falënderime për protestën shembullore dhe qytetare, për rezistencën e vëllezërve të mi nga Kruja, Fushë -Kruja Nikla, Cudhia, Bubqi dhe Thumana ku nuk pajtohen me padrejtësinë që po iu bëhet nga koncesionari i rrugës -Thumanë-Kashar dhe qeveria Rama.
Si qytetar krutan,si opozitar garantoj që ne do të qëndrojmë të bashkuar për të arritur atë që duam, për të zhbërë një padrejtësi. Nuk kërkojmë asgjë më shumë se kishim dhe se na takon. Kjo nuk ka për të ndodhur, ndaj qeveria duhet që sa nuk është vonë, sa më shpejt t’i japin zgjidhje një problemi të krijuar prej tyre.
Duhet në mënyrë urgjente që nje dalje të hapet që banorët e Njësisë Administrative të Bashkisë Krujë të mos shkojnë deri në Kashar dhe të kthejnë më pas për të ardhur në familjet e tyre. Kjo është tallje, kjo është padrejtësi dhe ne nuk do të pajtohemi.
Një apel kam për çdo krutan, të bashkuar të vazhdojmë qëndresën. Të lëmë çdo ndasi e të parën të vëmë Krujën tonë turistike dhe historike që ky regjim e ka izoluar për interesa korruptive.
I bëj thirrje Policisë së Shtetit të respektojë tubimet paqësore që lidhen me një të drejtë themelore, lëvizjen e lirë, që krutanët të shkojnë në shtëpitë e tyre si gjithë shqiptarët!