Kreu i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, shprehet se hipokrizia e kryeministrit për të sharë partnerin me të cilin mbylli listat dhe liroi të korruptuarit e tij përmes amnistisë, është teatri i shëmtuar që riciklon veten vit pas viti.
Sipas Bashës më qesharakja është rrahja e gjoksit të kryeministrit që drejton qeverinë më të korruptuar në Europë, teksa thotë se ai do të kandidojë në pjesën e hapur të listave, kur fare mirë mund të ishin hapur listat për të gjithë.
Kjo sipas tij është vetëm tallja e radhës me qytetarët, të cilëve i’u mohua e drejta e zgjedhjes nga dyshja që në pazarin e vulës ndanë copa pushteti, Rama qeverinë e korruptuar, Berisha opozitën fasadë.
Basha më te thotë se në zgjedhjet e ardhshme oferta e tyre është shumë e qartë: Voto Ramën merr Berishën, voto Berishën mbaj Ramën.
Reagimi i plotë i Bashës:
Si përherë, shumë e për lumë.
Hipokrizia për të sharë partnerin me të cilin mbylli listat dhe liroi të korruptuarit e tij përmes amnistisë, është teatri i shëmtuar që riciklon veten vit pas viti. Qëllimi është t’i trajtojnë qytetarët si spektatorë, pa fuqi vendimmarrëse, pa liri politike, pa zë në zhvillimin e vendit.
Qesharake rrahja e gjoksit të kryeministrit që drejton qeverinë më të korruptuar në Europë, teksa thotë se ai do të kandidojë në pjesën e hapur të listave. Ç’nevojë ka ta trajtojë si trimëri kandidimin te pjesa e hapur e listave, kur kishte mundësinë që t’i hapnin ato për të gjithë? Kjo është vetëm tallja e radhës me qytetarët, të cilëve i’u mohua e drejta e zgjedhjes nga dyshja që në pazarin e vulës ndanë copa pushteti, Rama qeverinë e korruptuar, Berisha opozitën fasadë. Prandaj në zgjedhjet e ardhshme oferta e tyre është shumë e qartë: Voto Ramën merr Berishën, voto Berishën mbaj Ramën.
Demokratët Euroatlantikë qëndrojnë të vendosur kundër këtij pazari që cakton mandatet në tavolinë dhe Shqipërinë e ndan si plaçkë për dyshen e vjetër dhe klientelën e tyre.
Shqipëria meriton më shumë!