Kreu i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, sjell në vëmemdje raportin e fundit të Agjencisë Europiane për Azilin, i cili theksonte se shqiptarët kryesojnë me një diferencë të dukshme krahasuar me vendet e tjera të rajonit të Ballkanit, për nga numri i kërkesave për azil në Bashkimin Europian, në gjysmën e parë të këtij viti.

Në një postim në facebook, ai shkruan se ky është një lajm i trishtë por jo i ri, pasi modeli i dështuar qeverisës është i njëjti dhe nuk krijon mundësi, meritokraci dhe barazi para ligjit.

Basha shprehet se programi i demokratëve euroatlantikë nis një faqe të re për ekonominë e vendit. Sipas tij, taksa e sheshtë 9%, Fondi për Mirëqenien e Familjes, me Reformën e Pronës, shkolla të hapura gjithë ditën – ku fëmijët të formohen e të kenë drekën e garantuar, dhe dhjetra propozime të tjera do të diskutohen këto muaj.

Postimi i plotë i Bashës:

Eksporti më i madh i Edi Ramës janë shqiptarët.

Raporti i fundit i Agjencisë Europiane për Azilin thotë se bashkëqytetarët tanë kryesojnë, me një diferencë të dukshme krahasuar me vendet e tjera të rajonit të Ballkanit, për nga numri i kërkesave për azil në Bashkimin Europian, në gjysmën e parë të këtij viti. Një lajm i trishtë, por jo i ri, pasi modeli i dështuar qeverisës është i njëjti dhe nuk krijon mundësi, meritokraci dhe barazi para ligjit.

Shqipëria meriton më shumë se politikat klienteliste dhe korruptive, që kanë nginjur pushtetarët dhe kanë larguar shqiptarët.

Prandaj, ne kemi përgatitur një program reformues për të lënë pas këtë model të përqëndruar te interesat e pushtetarëve, për të nisur një faqe të re për ekonominë e vendit, me taksën e sheshtë 9%, me Fondin për Mirëqenien e Familjes, me Reformën e Pronës, shkolla të hapura gjithë ditën – ku fëmijët të formohen e të kenë drekën e garantuar, dhe dhjetra propozime të tjera që demokratët euroatlantikë do të diskutojnë me ju këto muaj.

Në zgjedhjet që po afrojnë diferenca mes të ardhmes dhe të shkuarës nuk ka qenë kurrë më e qartë.
Dallimi mes politikës si mjet për fuqizimin personal të pak njerëzve dhe i politikës si mjet për të fuqizuar qytetarët nuk ka qenë kurrë më i lehtë.

Angazhimi për të qenë në krah të SPAK, përmes mbështetjes konkrete, dhe minimit të veprimtarisë së tij, përmes pazareve, nuk ka qenë kurrë më i dosmosdoshëm, për të kuptuar se kush kërkon ta mbajë Shqipërinë kështu, si një vend në duart e pak njerëzve nga i cili largohen gjithë të tjerët, dhe kush do një ndryshim të vërtetë, që vjen përmes një qeverie që lufton korrupsionin, garanton mirëqeverisjen dhe siguron mirëqenien për të gjithë.

Shqipërinë meriton më shumë!