Në konferencën për mediat, kreu i PD-Demokratët euroatlantikë, Lulzim Basha, është shprehur se kasta politike po punon kundër interesave të shqiptarëve për interesat e veta.
Ai më tej shprehet se shqiptarët meritojnë më shumë dhe për këtë alternative e Demokratëve Euroatlantikë është e qartë, duke filluar nga mbështetja për SPAK, kthimin e votës për shqiptarët për të zgjedhur qeverinë dhe kthimin e pasurive të vendit në dobi të shqiptarëve.
Basha gjithashtu tha se qytetarët e kanë kuptuar pseudo opozitën dhe për këtë tha se duopoly është i qartë, kush voton për Edi Ramën vazhdon mban Sali Berishën në krye të opozitës dhe kush voton Sali Berishën, mban në pushtet Edi Ramën.

Pjesë nga fjala e Bashës:

Kjo është një kast politike që punon nga mëngjesi në darkë kundër interesave të shqiptarëve për interesat e veta. Padiskutim shqiptarët meritojnë të kenë një alternativë të vërtetë politike qëllimi i të cilës mund të përmblidhet në ato që thash pak më parë.
Së pari, mbështetje totale për SPAK, jo frenim i arrestimit, gjykimit dhe dënimit me burg të politikanëve të lartë që kanë abuzuar me pasuritë dhe besimin e shqiptarëve, por inkurajim politik, financiar dhe institucional që SPAK të bëj punën e vet dhe këta politikanë most ë jenë mbi ligjin. Së dyti, duke goditur ato pjesë të pakteve politike që nga korriku i kaluar e deri në 2008-ën dalë ngadalë i kanë hequr shqiptarëve nga dora të drejtën reale për të vendosur se kush do t’i qeverisë. Dhe së treti për t’i kthyer pasuritë e vendit në dobi të shqiptarëve.
Në mënyrë që të frenojmë zbrazjen e Shqipërisë që në fakt është një farë votimi i heshtur i mosaprovimit dhe i mosbesimit tek pseudo opozita aktuale. Apo më mirë të themi i mirëkuptimit të qytetarëve që kjo opozitë shikon punën e vet dhe interesat e veta dhe është kthyer në një zgjatim të qeverisjes. Por ta kthejmë pra vëmendjen e qytetarëve, atyre që janë këtu por dhe të diasporës tek objektivi ynë kryesor që është largimi i Edi Ramës dhe shembja e këtij duopoli.
Sepse duopoli është i qartë, në zgjedhjet e ardhshme është e qartë që kush voton për Edi Ramën vazhdon mban Sali Berishën në krye të opozitës. Kush voton Sali Berishën, mban në pushtet Edi Ramën.