Në intervistën për gazetën kosovare “Demos”, kreu i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, është pyetur për projektligjin e propozuar në Kuvend për ndihmë ndaj Kosovës.

Ai tha se që pas sulmit të Beogradit në Banjskë, ka kërkuar një koordinim politik në Tiranë, së pari duke u koordinuar me faktorin euroatlantik dhe së dyti me mbështetje të drejtpërdrejtë ndaj Kosovës. Basha shprehet se pjesë e kësaj mbështetje është edhe propozimi i tij që ndodhet në Kuvend që parashikon një fond të përvitshëm prej 50 milionë eurosh, të destinuar tërrësisht si ndihmë ushtarake për Republikën e Kosovës.

Por sipas tij, për fat të keq nuk ka asnjë angazhim nga kryeministri Rama dhe nga faktorët e tjerë opozitar.

Pjesë nga fjala e Bashës:

Lulzim Basha: Prej sulmit të Beogradit tashmë të konfirmuar në territorin e Kosovës, me një skenar të përgatitur nga Kremlini për të aneksuar veriun e Kosovës dhe planet e tjera në raport me sesacionin e Republikës Sërbska në Bonje Hercegovinë, manipulimet politike në Malin e Zi, kam kërkuar një aksion të koordinuar politik në Tiranë. Së pari në mbështetje të Kosovës, së dyti në koordinim me faktorin euroatlantikë për t’i vënë këtij plani ogurzi që tashmë është shpalosur. Presidenti i Serbisë e ka thënë hapur që ai pret momentin e duhur për ta vënë në lëvizje këtë plan i cili ka pasoja të rënda për sigurinë, për paqen, për stabilitetin në Ballkan. Kështu që është në radhë të parë në interesin Kombëtar, të sigurisë Kombëtare të Shqipërisë. Pjesë e pandarë e sigurisë tonë Kombëtare është siguria e Kosovës. Dhe në radhë të dytë është një mbështetje e drejtpërdrejtë për Forcat e Armatosura të Kosovës. Propozimi im parashikon një fond të përvitshëm prej 50 milionë eurosh, të destinuar tërrësisht si ndihmë ushtarake për Republikën e Kosovës. Që t’i vendoset në disponim autoriteteve të Kosovës për ta përdorur për zgjerimin dhe forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të FSK.

Pyetje: Do ta bënit ju nëse do të vini në qeveri në zgjedhjet e ardhshme?

Lulzim Basha: Pa pikë diskutimi. Unë kam kërkuar që kjo të bëhet edhe sot dhe kam bërë thirrje të lihet mënjanë çdo ndasi politike, mos të shikohet si diçka që na ndan, por si diçka që na bashkon. Për fat të keq nuk ka asnjë përgjigje nga zoti Rama, për fat të keq nuk ka asnjë angazhim nga pjesa tjetër e opozitës e drejtuar nga zoti Berisha. Edhe në konferencën e fundit për shtyp ia kam, kujtuar këtë iniciativë, do t’ia kujtoj ditë për ditë, drisa mandate i këtij Parlamenti të mbarojë. Dhe në Parlamentin e ri padiskutim që shpresoj që do të jemi në gjendje që këtë propozim ta jetësojmë dhe Kosova të ketë këtë ndihmë ushtarake të merituar.