Kryetari i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, në fjalën e tij në Nënkomitetin për Ballkanin Perëndimor të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës që u zhvillua në Beograd, foli edhe për shqiptarët në Luginën e Preshevës.
Basha tha se nuk mund të përdoret standart i dyfishtë nga Beogradi i cili kërkon të drejtat e pakicës serbe në Kosovë dhe nuk respekton të drejtat e pakicës shqiptare në Serbi.
Kreu i demokratëve euroatlantikë adresoi disa shqetësime të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, siç janë pasivizimi i adresave, mos lejimi i teksteve shkollore dhe simboleve kombëtare, mos integrimi i shqiptarëve në administratën publike dhe shërbimi i detyrueshëm ushtarak.
Të gjitha këto kufizime të Beogradit, Basha tha se shqiptarët e këtij rajoni e shohin si një pastrim etnik i heshtur.
FJALA E PLOTË E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE-DEMOKRATËT EUROATLANTIK, LULZIM BASHA
Duke folur për pakicat, unë kërkoj fuqimisht që të mos përdoren standarde të dyfishta, të cilat diskreditojnë dhe dëmtojnë reputacionin e atyre që janë përgjegjës për krijimin e besimit publik midis popullsisë më të gjerë dhe në veçanti midis pakicave.
Kam pasur mundësinë të vizitoj komunat e Preshevës dhe Bujanocit. Ata më paraqitën shqetësime që jam i sigurt se i janë paraqitur gjithashtu edhe autoriteteve në Beograd. Kjo është një çështje e vjetër e pasivizimit të adresave. Kjo përjetohet dhe shihet nga popullsia shqiptare atje, si një pastrim etnik i heshtur i këtij rajoni. Pra, kjo është diçka që duhet të trajtohet nga autoritetet në Beograd me transparencë dhe në përputhje me angazhimet që kanë në kuadër të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
E njëjta problematikë është edhe me tekstet shkollore dhe me simbolet kombëtare. Kjo, si dhe integrimi i shqiptarëve në administratën publike, është ajo që ata kërkojnë dhe ajo për të cilën unë bëj apel. Dhe sa i përket integrimit në administratën publike, dëgjova gjëra që duhen thënë sot. Kryetari i Komunës së Bujanocit më tha se 12 zjarrfikës ka në atë rajon, ku sipas regjistrimit të qeverisë serbe 60% janë shqiptarë, asnjëri prej tyre nuk është shqiptar. Personeli është sjellë nga komuna të largëta për të plotësuar disa drejtori të qeverisë qendrore në Preshevë dhe në Bujanoc.
Ka dhe një tjetër shqetësim tek komuniteti shqiptarë, shërbimi i detyrueshëm ushtarak. E dini, ka kundërshtime të ashpra për shkak të ngjarjeve traumatike të së kaluarës nga qytetarët shqiptarë të Serbisë së Jugut.
Mendoj se këto duhet të merren parasysh në çdo lloj legjislacioni që miratohet, duke lejuar alternativa që nuk e bëjnë këtë masë si masat e tjera të duken të detyrueshme, dhe në një farë mënyre të çojnë në largimin e më shumë të rinjve nga vendlindja e tyre.
Pse them se është një standard i dyfishtë? Sepse paketa “Ahtisaari” ka ofruar pakicës serbe në Kosovë garancitë më të gjera të mundshme. Ato duhet të zbatohen, por zbatimi, sigurisht, varet nga të dyja palët. Dhe prandaj po kërkoj nga qeveria në Beograd që t’i japë fund pasivizimit të adresave, të lejojë simbolet kombëtare, të lejojë tekstet shkollore për fëmijët dhe të lejojë integrimin e shqiptarëve në Preshevë, në Bujanoc, në Medvegjë, që të shërbejnë në mënyrë proporcionale në administratën publike.
Shqipëria është e qartë. Ne kërkojmë që shqiptarët në Serbi të jenë pjesë e shoqërisë serbe, të jenë pjesë e administratës publike serbe, pra i kërkojmë qeverisë në Beograd të sigurojë të drejtat bazë që garantohen nga kushtetuta dhe ligjet e këtij vendi për çdo qytetarë
Kjo është ajo që kam për të shtuar në këtë diskutim. Besoj se standardet me të cilat trajtojmë pakicat tona janë standardi i artë me të cilin mund të sigurojmë hyrjen e shpejtë të vendeve tona në Bashkimin Europian.