Kryetari i Partisë Demokratike – Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka postuar një tjetër video nga fjala e tij në Nënkomitetin për Ballkanin Perëndimor të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës që u mbajt në Beograd.
Basha ka kritikuar politikën qeverisë serbe ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, duke e akuzuar për diskriminim dhe spastrim etnik.
Ai u shpreh se Vuçiç vazhdon strategjinë e ankesave për të drejtat e serbëve në Kosovë, ndërsa nga ana tjetër po kufizon të drejtat e shqiptarëve në jug të Serbisë.
Një tjetër çështje që kreu i demokratëve euroatlantikë foli, ishte shërbimi i detyrueshëm ushtarak i shqiptarëve në këtë rajon.
Postimi i plotë i Bashës:
Paketa “Ahtisaari” i ka ofruar pakicës serbe në Kosovë garancitë më të gjera të mundshme. E ndërkohë që Vuçiç vazhdon me strategjinë e ankesave për ta, po diskriminon dhe kryen spastrim etnik në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.
Apelimi në Këshillin e Europës është që qeveria në Beograd t’i japë fund pasivizimit të adresave, të lejojë simbolet kombëtare, të lejojë tekstet shkollore për fëmijët dhe të lejojë integrimin e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc të shërbejnë në mënyrë proporcionale në administratën publike.
Një tjetër shqetësim tek komuniteti shqiptar, shërbimi i detyrueshëm ushtarak. Kjo për shkak të ngjarjeve traumatike të së kaluarës. Për këtë duhen lejuar alternativa që të mos detyrojnë të rinjtë të largohen nga lugina e Preshevës.